POLITIKË /

Rakip Suli kthehet "YouTuber": Bashkia e Kamzës hap tender për studio televizive, kur rrugët janë plot me gropa

Shkruar nga Versus
Rakip Suli kthehet "YouTuber": Bashkia e Kamzës hap tender
Rakip Suli

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, duket se ka gjetur pasionin e ri podcasting. 

Në vend që të merret me rrugë, sheshe e zona të gjelbra, Sula ka vendosur të investojë paratë e taksapaguesve për të ndërtuar një studio mediatike profesionale, që do t'ia kishte zili çdo televizion privat në vend.​​

Bashkia bëhet "media house"

Sipas dokumenteve zyrtare të prokurimit, Bashkia e Kamzës ka hapur procedurën e prokurimit me vlerë të vogël me objekt "Furnizim vendosje pajisje audio-video", me afat zhvillimi datën 19.02.2026.

Lista e pajisjeve të kërkuara lexohet si një listë blerjesh për një studio televizive të plotë:​

3 kamera PTZ — sepse një kënd nuk mjafton kur bën propagandë

1 kontroller PTZ — që kamerat të ndjekin kryebashkiakun kudo

1 mixer audio me 12 kanale — sikur do të regjistrojë një album muzikor

5 mikrofona për podcasting — për kur Sula fton mysafirë

5 krahë mbajtës mikrofoni — sepse çdo mikrofon meriton "krahun" e vet

1 kartë transmetimi video — transmetim LIVE i propagandës

3 tripodë profesionalë me kokë të lëvizshme 

2 dritë LED profesionale + 4 dritë LED bi-color + 6 softbox — sepse ndriçimi i mirë fsheh problemet

50 metra kabull koaksial video SDI VK6

Rakip Suli kthehet "YouTuber": Bashkia e Kamzës hap tender
Tenderi për blerjen e pajisjeve audio e videove nga Bashkia e Kamzës

Ndërsa Kamza ka nevojë për infrastrukturë rrugore, shërbime utilitare, investime në arsim e shëndetësi, kryebashkiaku ka vendosur se prioriteti është se si do të duket në ekran.

Dhjetëra mijëra euro nga buxheti bashkiak do të shkojnë për të ndërtuar një studio ku Suli do të na tregojë me ndriçim profesional dhe nga tre kënde kamere se sa shumë ka punuar për qytetarët.

Përballja e një kryetari bashkie me qytetarët duhet të bëhet sy më sy në zyra, në rrugë, në salla të mbushura me njerëz e jo e fshehur pas një set profesional kamerash e mikrofonash.

Në vend të një tenderi për pajisje luksoze, Kamza ka nevojë për një unazë rrugore, për një shesh të mirëfilltë, për zona të gjelbra./Versus.al

 

 

Poll