POLITIKË /

Kuvendi seancë maratonë: Miratohen ligje për diplomatët dhe AKSHI-n, zgjidhen anëtarë të rinj të Banka e Shqipërisë

Seanca maratonë e Kuvendit u mbyll në orët e para të mëngjesit me miratimin e dy projektligjeve, zgjedhjen e katër anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe rrëzimin e gjashtë nismave të opozitës.

Shkruar nga Versus
Kuvendi seancë maratonë: Miratohen ligje për diplomatët dhe
Parlamenti në seancën e 19 shkurtit

Në një seancë që përfundoi në orën 04:15 të mëngjesit, Kuvendi miratoi dy projektligje dhe pesë projektvendime, mes debatesh politike dhe akuzash të ndërsjella mes mazhorancës dhe opozitës.

Mazhoranca votoi draftin e Ministrisë së Jashtme që parashikon testim të detyrueshëm për të gjithë diplomatët brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Procedurat dhe kriteret e testimit do të përcaktohen me akt nënligjor.

Projektligji kaloi me 75 vota pro, 15 kundër dhe 1 abstenim.

Z. Selami Xhepa u zgjodh anëtar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, u miratua me 72 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim.

Znj. Holta Zaçaj u zgjodh anëtare në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, konkretisht të znj. Matilda Shehu, me kërkesë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, do të votohet në një seancë tjetër plenare.

Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, u miratua me 74 vota pro, 17 kundër dhe 0 abstenim.

Z. Ervin Mete u zgjodh anëtar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, u miratua me 73 vota pro, 18 kundër dhe 0 abstenim.

Znj. Jonida Prifti u zgjodh anëtare në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Njëkohësisht, u miratua edhe projektvendimi “Për miratimin e planit vjetor 2026, “Për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022-2026”, me 74 vota pro, 15 kundër dhe 0 abstenim.

Po ashtu u miratua me 74 vota pro ligji i ndryshuar për funksionimin e AKSHI.

Rrëzohen nismat e opozitës

Gjashtë projektligje të propozuara nga opozita nuk morën votat e nevojshme. Mes tyre ishin nisma të deputeteve Ina Zhupa dhe Jorida Tabaku, si dhe propozime nga deputetët e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, Tedi Blushi dhe Edmond Haxhinasto. Në tre votime deputeti socialist Erion Braçe abstenoi.

Debat për “Durana Tech Park”

Në fillim të seancës pati interpelancë me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e thirrur nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri për projektin “Durana Tech Park”. Opozita pretendoi se projekti favorizon kompani problematike përmes lehtësive fiskale 15-vjeçare, ndërsa ministrja tha se modeli është hibrid fizik-virtual dhe plotësisht në përputhje me ligjin.

Seanca u karakterizua nga tone të forta politike, por përfundoi me miratimin e paketës së propozuar nga mazhoranca dhe me rrëzimin e të gjitha nismave ligjore të opozitës./Versus.al

Poll