
Makthi i dëmtimeve vazhdon të ndjekë mesfushorin e Shqipërisë, Arbnor Muçolli.
Pasi mbeti jashtë Europianit, për shkak të problemeve fizike, 24-vjeçari tani po përballet edhe me një tjetër lëndim më të rëndë.
Lojtari ka dëmtuar keq ligamentet, në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku Goteborg, u përball me Varnamo.
Shqiptari u largua nga fusha mes dhimbjeve të mëdha, ndërsa ekzaminimet zbuluan më të keqen. Muçolli ka dëmtuar keq ligamentet dhe do i nënshtrohet operacionit.
“Arbnor Muçolli ka lënduar ligamentin dhe do të jetë jashtë fushës për kohë të gjatë”, ka shkruar klubi suedez.
Muçolli në edicionin aktual të elitës së futbollit suedez ka shënuar dy gola në 13 paraqitje.
“Kisha shumë dhimbje dhe e kuptova se situata nuk është e mirë. Kur e mora mesazhin se për çfarë lëndimi bëhej fjalë, u dëshpërova dhe kanë qenë ditë të vështira. Por tani pas operimit, duhet të luftoj shumë dhe të kthehem edhe më i fortë në vitin 2025”, ka thënë Muçolli që ka pesë paraqitje me Shqipërinë.







