Kompozitori i njohur i muzikës country, Brett James, ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare në një aksident tragjik ajror, që ndodhi në Karolinën e Veriut. Avioni i vogël, me tre persona në bord, u përplas në pyllin e Franklin pasditen e së enjtes, në "rrethana të panjohura", sipas raportit paraprak të Administratës Federale të Aviacionit (FAA). Të tre pasagjerët, përfshirë James, humbën jetën, dhe nuk pati të mbijetuar.
Aktualisht nuk dihet nëse Brett James po e pilotonte avionin, por hetimet për aksidentin janë duke u zhvilluar nga FAA dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit. Përveç kompozitorit, humbën jetën edhe dy persona të tjerë, Melody Carole dhe Meryl Maxwell Wilson.
Brett James ka lënë një trashëgimi të madhe në muzikën country, me mbi 500 këngë të regjistruara dhe më shumë se 110 milionë albume të shitura. Ai u nderua në Nashville Songwriters Hall of Fame në vitin 2020, dhe ishte një nga emrat më të njohur në industrinë e muzikës. Hiti i tij më i famshëm, "Who I Am", i kënduar nga Jessica Andrews, dhe bashkëautoria e këngës "Jesus, Take the Wheel" me Carrie Underwood, e cila fitoi çmimin Grammy për Këngën më të Mirë Country në vitin 2006, i dhanë atij një vend të veçantë në historinë e muzikës.
Këngët e tij janë interpretuar nga emra të mëdhenj të muzikës si Faith Hill, Kelly Clarkson, Luke Bryan, Keith Urban, Nick Jonas dhe Meghan Trainor. Po ashtu, ai ka ndikuar shumë në formimin e karrierave të shumë artistëve të njohur të muzikës country dhe pop.







