61 udhër arreste, nga të cilët 21 në pranga dhe 60 milion euro pasuri të sekuestruara.
Ky është bilanci paraprak i një megaoperacioni që Versus.al ka mësuar se ka nisur mbrëmjen e djeshme dhe është zhvilluar edhe gjatë kësaj të mërkure të 25 shtatorit.
Në operacionin e mbajtur sekret deri në orët e pasdites së të mërkurës mësohet se janë përfshirë edhe Europol e Prokuroria e Posaçme shqiptare, SPAK.
61 urdhër arreste janë prerë ndaj anëtarëve të një organizate kriminale e dyshuar si e përfshirë në trafikimin e sasive të konsiderueshme kokaine nga Amerika e Jugut në Europë.
Masat e arrestit kanë nisur të ekzekutohen edhe në Shqipëri, ku Versus.al mëson se janë ushtruar kontrolle kryesisht në zonën e Manzës, për kapjen e disa personave si dhe janë ushtruar disa kontrolle të imtësishme banesash.
Sipas hetimeve të deritanishme, organizata kriminale e goditur sot, dyshohet se kishte në përbërje shtetas shqiptarë.
Kanë qenë autoritetet italiane të cilat kanë zbuluar se Shqipëria shërbente si një bazë e rëndësishme e trafikut të narkotikëve, i cili kryhej kryesisht përmes varkave të peshkimit dhe mjeteve të tjera lundruese.
Ende nuk është e qartë se kush ishte drejtuesi i këtij grupi kriminal të goditur gjatë orëve të fundit, por Versus.al ka mësuar se “qendra operacionale” ka qenë në Shqipëri, ndërsa degë kishte edhe në disa rrethe të vendit.
Përpos Shqipërisë, operacioni për çmontimin e këtij grupi kriminal është zhvilluar edhe në Zvicër e Poloni.
Në total mësohet se janë sekuestruar rreth 360 kg lëndë narkotike, ndërsa në operacion janë angazhuar mbi 400 forca policie.
Vlera e narkotikëve të sekuestruar nëse do të përfundonte në treg do të arrinte në 30 milion euro.
Veç sasisë së madhe të kokainës së sekuestruar, organet ligjzbatuese kanë sekuestruar dhe para, prona, armë e makina, me vlerë rreth 60 milion euro cash e pasuri materiale.
Edhe ky grup kriminal duket se është zbërthyer nga përgjimet në Sky ECC dhe hetimet 4 vjeçare nga përgjimet telefonike e ambientale dokumentuan se ata kanë trafikuar sasi të mëdha kokaine përmes rrugëve tregtare e mjeteve të rënda të transportit nga Amerika e Jugut drejt Europës e Italisë përmes Spanjës e Hollandës.
Kokaina e mbërritur në Itali magazinohej në 5 baza logjistike në komunat Breshia, Romano di Lombardia, Palazzolo sull’Oglio, Varese e Pisa.
Brenda këtyre bazave ishte ngritur një tjetër organizim kriminal paralel italo-kinez që përdorej për riciklimin e parave të fituara nga trafiku i kokainës përmes një llogari bankare të fshehur.
Janë vërtetuar rreth 375.000.000 fatura false e një mekanizëm bankar që favorizonte transferimin e parave të drogës në vende të ndryshme./Versus.al







