POLITIKË /

“Vitin e ardhshëm presim liderat e Komunitetit Europian”, Rama në Milano thirrje shqiptarëve: Kthehuni dhe kontribuoni në atdhe

Gjatë takimit që pati me shqiptarët në Milano të Italisë, kryeministri Rama bëri me dije se vitin e ardhshëm Shqipëria do të mirëpresë një samit të udhëheqësve të Komunitetit të ri politik Europian.

Shkruar nga Versus
“Vitin e ardhshëm presim liderat e Komunitetit Europian”, Rama
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, ditën e djeshme (26 maj) zhvilloi takimin tjetër në turin e takimeve me diasporën shqiptare. Këtë herë ndalesa e tij ishte në Milano të Italisë ku shqiptarët u mblodhën në Pallatin e Sportit.

Fjalimi i Ramës nisi me sjelljen në vëmendje të vuajtjeve kanë kaluar shqiptarët të cilët emigruan drejt Italisë në vitet ’90 duke rrezikuar jetën në anije të tejmbushura me qëllim arritjen e një realiteti më të mirë.

Retorika kryesore e kryeministrit në takim, ishte thirrja që shqiptarët të cilët kanë emigruar në Itali, të kthehen në Shqipëri për të kontribuar me dijet dhe kursimet e tyre.

“Kemi shumë punë për të bërë, por pikërisht sepse është e tillë ka edhe shumë mundësi për këdo që kthehet me dijet, eksperiencën, kursimet e veta e duke pas mësuar guximin do fitojë për veten e familjen më shumë se ata që ngurojnë, sepse shpirti ua do por presin që ta gjejnë gati. Ai që do të kthehet më shpejt do këtë më shumë paqe për shpirtin e ndarë në dysh. Koha e mirë e Shqipërisë ka ardhur. Vetëm ne mund ta bëjmë këtë kohë si ajo që do shënjohet në histori, koha e bashkimit përfundimtar me familjen europiane”, u shpreh Rama.

Ndërsa ndër të tjera, kreu i qeverisë dha lajmin se vitin e ardhshëm në Shqipëri do të mbahet një tjetër samit, këtë herë ku do të jenë pjesë të gjithë udhëheqësit e komunitetit të ri politik Europian.

“Vitin e ardhshëm Shqipëria do të mikpresë në Tiranë që të gjithë udhëheqësit e komunitetit të ri politik Europian, nga Mbretëria e Bashkuar në Ukrainë dhe Moldavi, nga Norvegjia në Turqi, nga Portugalia në Azerbajxhan. Kush mund ta imagjinonte deri para disa vitesh këtë Shqipëri sot, në arenën e madhe europiane, e cila i ngjan gjithmonë e më shumë të gjithëve ju në familjen e madhe europiane, por Shqipëria sot pret dhe ju, shqiptarët e Italisë dhe krejt botës, si vendlindja juaj që rilind çdo ditë dhe që më në fund po bëhet shteti që aq shumë i ka munguar shqiptarëve të Shqipërisë”- shtoi kryeministri.

Ndalesa e radhës për Ramën në kuadër të turit të takimeve me diaspoën do të jetë në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, për ta mbyllur më pas në Gjermani.

Poll