Brigjet spanjolle janë kthyer në qendrën e zbarkimit të drogës së nisur nga Amerika Latine për në Europë, me kartelet që kanë krijuar “Rrugën e Atlantikut” duke përdorur narkonëndetëse për të transportuar kokainën.
Një e tillë është zbuluar nga autoritetet iberike rreth 450 km në perëndim të qytetit të Cadiz, pas sinjalizimit nga DEA amerikane.
Pasi Garda Civile lokalizoi mjetin lundrues me gjatësi 20 metra, ekuipazhi i përbërë nga 4 kolumbianë u përpoq t'i shpëtonte autoriteteve, por në fund u detyruan të ndalonin.
Në këtë rast, droga që po transportohej është fundosur në det së bashku me narkonëndetësen para se të sekuestrohej.
Narkonëndetsja është e ngjashme me atë të kapur në dy operacione të tjera të policisë spanjolle, të kryera në vitin 2019 dhe 2023 në Galicia.







