Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi ka paralajmëruar nga Erseka, se qarkut juglindor do ti hiqet një mandat deputetit.
I shoqëruar nga deputetja e zonës, Olta Xhaçka, i dërguar politik i PS për Korçën, është shprehur se mandati i 11 i Korçës do ti kalojë Tiranës.
Por Peleshi ka paralajmëruar se, edhe pse do të hiqet një mandat, sërish PS në Korçë do të ketë 6 mandate deputetësh në zgjedhjet e 2025.
“Ka mundësi që për shkak të rritjes së numrit të popullsisë në Tiranë, qarku i Korçës mund të ketë një mandat më pak, edhe pse Korça ishte më numrin më të pakët të largimit të popullsise referuar Census. Synimi ynë do jetë i njëjtë, duam të ruajmë 6 mandate me dy deputetë diferencë nga PD, por duke patur parasysh potencial e ri që i ofrohet politikës me këtë kod të ri zgjedhor, që është votë e diasporës, objektivat mund të rriten, sepse kemi aq votues në diasporë sa në Shqipëri. Një nga pikat e takimit në çdo bashki është dhe organizimi për votën e diasporës. Në rast se janë 10 deputetë do të ketë 3 mandate të mbyllura, në rast se janë 11 deputetë do të ketë 4 mandate të mbyllura”, u shpreh Peleshi.
Lidhur me proceset e mandateve të deputetes Xhaçka dhe deputetit Sinaj, Peleshi tha se do të vazhdojë procesi deri sa të ketë një vendim të këshillit të mandateve.
“Vendimi i gjykatës për deputeten Xhaçka është votuar në seancë, ka hyrë në proces mandati i deputeti Sinaj, do marrë kohën e vet, është duke u shqyrtuar. Do vazhdojë procesi deri sa të ketë një vendim të këshillit të mandateve”, tha gjatë takimit me socialistët kolonjarë, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi.








