Çfarë do të gjeni në brendësi
*I gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq, me reshje të dendura shiu të shoqëruara me erëra të forta, duke krijuar problematike në disa qarqe. *Në qarkun e Shkodrës moti i keq ka shkaktuar probleme në disa segmente rrugore si Prekal-Kir. *Janë pezulluar lundrimet e planifikuara nga Porti i Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas. *Imbarkimi i pasagjerëve dhe mjeteve të tyre do të bëhet në orarin e planifikuar deri në orën 22 të mbrëmjes së sotme për të lundruar mëngjesin e ditës së nesërme. *Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë një përditësim të situatës nga moti i keq në vendin tonë. *Sipas Ministrisë së Mbrotjes, disa zona janë pa energji për shkak të defekteve në rrjet.
Moti i keq në Shkodër/ Situatë alarmante, prurje masive ujërash, rrugë të bllokuara dhe mungesë energjie
Situata në Qarkun Shkodër është gjithnjë e më alarmante për shkak të kushteve të motit të keq që kanë përfshirë këtë qark.
Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta po shkaktojnë dëme të shumta dhe po vështirësojnë qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve. Raportohet se aktualisht prurje masive ujërash vijnë nga mali në hyrje të tunelit të Gjegjanit duke shkaktuar gërryerjen e trasesë së rrugës.
Ndërkohë, policia dhe kontraktori ndodhen në terren për të monitoruar dhe normalizuar situatën në rrugë.
Qarku i Shkodrës është ndër më të prekurit nga moti i keq që ka përfshirë pothuajse të gjithë vendin. Që prej mëngjesit të sotëm, për shkak të reshjeve intensive në shumë zona ka patur edhe mungesë të energjisë elektrike.
Vërshimi dhe rrëshqitje dherash në Bypass-in e ‘Rrugës së Arbrit’, qarkullim me vështirësi i mjeteve
Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë krijuar probleme edhe në qarkullimin e automjeteve nga Tirana në drejtim të Qarkut Dibër e anasjelltas nëpërmjet rrugës së Arbrit.
Si pasojë e vërshimit të ujërave ka patur rënie gurësh e zhavorri në rrugë. Ndërkohë, në afërsi të tunelit të Murrizit në anën e Xibrit ka patur shembje dherash të shumta duke bllokuar qarkullimin total të automjeteve.
Dhjetra automjete kanë mbetur bllokuar në të dyja anët për shkak të masivit të madh të dheut të rënë në rrugë.
Ndërkohë, kalimi në këtë aks rrugor, kryesisht në bypassin e Murrizit paraqet rrezik dhe këshillohet të qarkullohet me shumë kujdes deri në pastrimin e plotë të rrugës nga autoritetet.
VIDEO/ Reshjet e shiut përmbytin rrugët në Durrës, probleme të shumta tek spitali e stadiumi
Kanë mjaftuar vetëm disa minuta shi gjatë pasdites së kësaj të premte që të përmbytë disa prej rrugëve në qytetin e Durrësit.
Mësohet se situata më problematike shfaqet në kryqëzimin pranë stadiumit në lagjen 18, si dhe në afërsi të spitalit të Durrësit.
Nisur nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë, Policia Rrugore apelon që drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes.
FOTO/ Dhjetëra pemë rrëzohen në Tiranë, shkaktojnë dëme të shumta nëpër makina
Dhjetëra pemë janë rrëzuar në të gjithë Tiranën.
Si pasojë e motit të keq dhe erës së fortë në disa zona të Tiranës ka patur rënie të pemëve dhe degëve duke shkaktuar vështirësi në qarkullim.
Shumë prej pemëve kanë rënë mbi makina, duke shktuar edhe dëme të shumta.
Pas rënies së tyre dhe dëmeve të shkaktuara, ka ndërhyrë bashkia duke i prerë dhe larguar nga vendi ku kanë rënë.
Moti i keq/ Ministria e Mbrojtjes: I bllokuar aksi Prekal – Kir dhe Mes-Dukagjin! Pa energji disa zona
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë një përditësim të situatës nga moti i keq në vendin tonë.
Reshjet e shiut, që në disa zona të vendit kanë qenë me intensitet të lartë kanë shkaktuar bllokim të disa akseve rrugore, veçanërisht në qarkun e Shkodrës.
Por, përgjithësisht, situata është pa problematika serioze sa i përket infrastrukturës kombëtare.
- Në aksin Prekal – Kir, strukturat po punojnë për hapjen e rrugës.
-Rruga Mes-Dukagjin është bllokuar për shkak të rrëshqitjes së gurëve. Edhe këtu po punohet për pastrimin e saj.
Si pasojë e motit të keq, disa zona janë pa energji për shkak të defekteve në rrjet. Rajone të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Berat, Vlorën, Korçën, Gjirokastrën, Kukësin, Shkodrën dhe Burrelin, po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Punonjësit e OSSH janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji në këto zona.
Situata po ndiqet me vëmendje nga strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror. #AKMC është në kontakt me të gjitha prefekturat dhe bashkitë, për të koordinuar punën në çdo rast nevoje./Versus.al
Erë e fortë dhe dallgë të mëdha, moti i keq pezullon lundrimin e trageteve nga Durrësi drejt Barit
Moti i keq ka shkaktuar pezullimin e lundrimeve të planifikuara nga Porti i Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas.
Imbarkimi i pasagjerëve dhe mjeteve të tyre do të bëhet në orarin e planifikuar deri në orën 22 të mbrëmjes së sotme për të lundruar mëngjesin e ditës së nesërme.
Ndërsa lundrimi i tragetit për në Ankona do të vijojë si normalisht.
“Si pasojë e kohë së keqe në Adriatkun Jugor, në det të hapur, i shoqëruar me dallgë dhe erë të fortë, autoritetet detare shqiptare në koordinim dhe me ato Italiane, kanë vendosur anulimin e lundrimeve mbrëmjen e sotme nga Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas.
Imbarkimi i pasagjerëve dhe mjeteve të tyre do bëhet në orar(pra, deri në orën 22:00 të mbrëmjes së sotme), ndërsa tragetet "AF Franchesca" dhe "Rigel VII" do të nisin lundrimin mëngjesin e ditës së nesërme, dt.23.11.2024. Trageti “Af MIA”i linjës Durrës-Ankona mbërrin ne oren 19:00 dhe do të niset në orën 22:00, mbrëmjen e sotme”- njofton Autoriteti Portual Durrës. Versus.al
Moti i keq përfshin Shkodrën, rrëshqitje gurësh në aksin “Prekal-Kir”
Që prej ditës së enjte, qarku i Shkodrës është përfshirë nga moti i keq me erëra të forta dhe reshje shiu të cilat kanë sjellë probleme në segmentin rrugor Prekal-Kir.
Gjatë natës ka pasur rrëshqitje të mëdha të rrugës, gjë që solli edhe bllokimin e saj për automjetet.
Ndërkohë, bashkia e Shkodrës ka vënë në dijeni strukturat e emergjencave civile dhe firmën kontraktuese për të menaxhuar situatën, ndërkohë që u ka bërë thirrje banorëve që të kenë kujdes në këtë segment rrugor. Versus.al







