POLITIKË /

5 ditë nga zgjedhjet në Himarë, Tavo fton Gjikurinë: Pasi të humbasë, mund të jetë nënkryetar

Kur kanë mbetur vetëm 5 ditë nga zgjedhjet e parakohshme në Himarë, Vangjel Tavo i PS ka ftuar kundërshtarin e tij, Petro Gjikurinë që të jetë nënkryetar bashkie pasi të humbasë në betejën elektorale të 4 gushtit.

Shkruar nga Versus
5 ditë nga zgjedhjet në Himarë, Tavo fton Gjikurinë: Pasi
Vangjel Tavo dhe Petro Gjikuria

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo ka dhënë një intervistë për CNN grek duke folur për kandidimin e tij, marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe gara me kandidatin e opozitës Petro Gjikurinë.

Në nisje të intervistës, Tavo tha se e kishte marrë vendimin për të kandiduar për bashkinë e Himarës pas një takimi që kishte patur me kryeministrin Edi Rama me të cilin më parë ka qenë kundërshtar politik duke qenë se Tavo ka qenë pjesë e LSI.

“Unë kam qenë një nga kundërshtarët më të fuqishëm dhe më të ashpër të Ramës, ndaj ai nuk më ftoi si bashkëpunëtor të tij. Ai më ftoi vetë që të zgjidhja disa çështje sepse, me sa kuptoj, ekziston edhe vullneti i tij për t'i zgjidhur këto probleme që këto probleme të mos jenë më pengesë për ecurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve”- tha Tavo.

Më tej ai bëri një thirrje të hapur ndaj Petro Gjikurisë për bashkëpunim duke e ftuar që të jetë nënkryetar bashkie nëse humbet zgjedhjet më 4 gusht pavarësisht se ky i fundit e ka paditur në gjykatë për ndryshimin e gjendjes civile nga Dropulli në Himarë.

“Megjithatë, kam një pyetje dhe dua ta bëj përmes kësaj interviste: Nëse Petro Gikouria, i ardhur nga Amerika dhe është kaq i interesuar të bëjë mirë për Himarën, humb zgjedhjet (të cilat do t’i humbasë), a do ishte i gatshëm të qëndronte këtu të kontribuonte për zhvillimin e Himarës? Unë kam një propozim që nëse pranon të qëndrojë, ta ftoj në stafin tim si nënkryetar i bashkisë së Himarës. Pres përgjigjien e tij”- shtoi Vangjel Tavo.

Sa i kalon problemit të pronave në Himarë, ‘kurban’ i të cilave u bë edhe kryebashkiaku socialist Jorgo Goro i cili ra në pranga për tjetërsimin e pronave, Tavo tha se kemi të bëjmë me një problem prej më shumë se 34 vitesh që nuk është zgjidhur për shkak të mungesës së vullnetit.

Zgjedhjet në Himarë do të mbahen të dielën e ardhshme dhe në garë janë Vangjel Tavo i PS dhe Petro Gjikuria i PBDNJ. Gjikuria nuk është mbështetur nga ana e opozitës shqiptare deri më tani, pasi më herët PD e Himarës deklaroi se nuk ishte konsultuar për zgjedhjen e kandidaturës së tij për bashkinë. Versus.al

Poll