POLITIKË /

8 orë mbledhje qeverie në Dajt, të gjithë sytë drejt zgjedhjeve 2025

Në këtë mbledhje u bë një analizë pune për secilin prej sektorëve. Mbledhja u nda në blloqe raportimi, në varësi të tematikave, konkretisht: Integrimi, komunikimi, siguria dhe çështje sociale.

Shkruar nga Versus

8 orë mbledhje qeverie në Dajt, të gjithë sytë drejt

Rreth 8 orë ka zgjatur mbledhja e mbyllur e kryeministrit Edi Rama në Dajt me anëtarët e kabinetit qeveritar. Takimi nisi rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe u mbyll në 18:30.

Të pranishëm në mbledhje ishin, ministrat, kryetaret e komisioneve, kryetarja e kuvendit, nënkryetari i Kuvendit, kreu i grupit parlamentar në PS, si dhe drejtorët e institucioneve në varësi të kryeministrit, ndërsa nuk ishin të pranishëm kryebashkiakët.

Në këtë mbledhje u bë një analizë pune për secilin prej sektorëve. Mbledhja u nda në blloqe raportimi, në varësi të tematikave, konkretisht: Integrimi, komunikimi, siguria dhe çështje sociale.

Secili prej ministrave prezantoi objektivat e punës për sezonin e ri në dikasterin që mbulon. Po ashtu në fokus ishte edhe vendosja e objektivave për muajt në vazhdim.

Burimet bëjnë me dije se u diskutua gjatë dhe me mënyrën se si do të komunikojë kabineti qeverisës, me qytetarët para dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare 2025. 

Mbledhja e ndarë në 4 blloqe, më të rëndësishme kishte komunikimin dhe integrimi. Në të parën ka qenë referues Endri Fuga dhe në të dytën kryenegociatorja me BE-në Majlinda Dhuka. Ndërsa dy blloqet e tjera që lidhen me sigurinë dhe çështjet sociale, u drejtuan nga ministret Belinda Balluku dhe Ogerta Manastirliu.

Takimi në Dajt shërbeu edhe për analizën e progresit dhe përgatitjet për sesionin e ri parlamentar.

Me rëndësi në këtë mbledhje ishte edhe plani për vitin zgjedhor, pasi ambicia e kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste është fitimi i mandatit të katërt. 

Ky takim me qeverinë, i paraprin Asamblesë së Partisë Socialiste, që do të mbahet të dielën e ardhshme, më 8 shtator në qytetin e Durrësit ku pritet të zgjidhet Sekretariati i ri i PS si dhe drejtuesit politik të 12 qarqeve./ Versus.al

 

Poll