
Niveli i lartë i nitratit në produktet bujqësore shqiptare, u kthye në një kryetemë gjatë këtij sezoni veror pasi njerëz të ndryshëm publikë denoncuan përmbajtjen e lartë të kimikateve në prodhime të caktuara.
Një ndër ta ishte gazetari dhe moderator Blendi Fevizu i cili publikoi në rrjete sociale video ku me anë të një aparati, niveli i nitratit te pjepri rezultonte shumë i lartë. Për këtë ka ardhur edhe një përgjigjie nga deputeti socialist Erion Braçe.
Braçe ka publikuar përgjigjiet e marra nga AKU ku theksohet se një matës i tillë nuk është certifikuar për përdorim masiv, ndërsa shkruan se qëllimi i përgjithshëm ka qenë reklama ndaj aparateve të tilla kineze, gjë që sipas tij ka shkaktuar dëme te bujqit.
“Ka qenë pjesë e një fushate të madhe kundër prodhimit vendas për të shitur ca lodra të poshtra kineze pa asnjë bazë shkencore e ligjore. Kanë përfshire prezantues, thotë njëri aty ky aparat qenka fantastik, ku keni qenë më parë. Okuliste, nutricioniste që thotë dhe më habit ‘do ia sugjeroj çdo pacienti dhe çdo konsumatori të biznesit tim’. Apo dietologë, thotë njëra këtu unë tani e përdor për krijimin e dietave ushqimore sepse nitrati është element shumë i dëmshëm dhe që duhet kontrolluar me çdo kusht. Apo aktorë të mëdhenj që janë futur në politikë që thonë që e zbulova rastësisht në internet. Këta janë paguar të gjithë për këtë fushatë. Kanë bërë dëm. Ndikimi i tyre ka qenë i tillë sa ka bërë dëm kolosal për bujqit”, shprehet Braçe.
Deputeti shkruan më tej se inspektoriati i Mbikëqyrjes së Tregut ka nisur hetimet për rastin pasi aparati i përdorur nga figurat publike për matjen e nitratit është pezulluar nga aktiviteti . Ndërsa pa përmendur emra, akuzon moderator, e gazetarë se janë paguar në fushatë kundër prodhimit bujqësor vendas.
“Pse kur ky aparat paska siguri pse e kanë pezulluar aktivitetin, pse janë zhdukur, pse janë fshehur. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes se Tregut qartëson se po heton. Shikoni, deri në fund të korrikut, bujqit tanë kanë prodhuar e eksportuar 200.000 tonë fruta e perime të freskëta me një vlere të faturuar 110.000.000 euro të prodhuara nga bujqit tanë, nuk është kthyer mbrapsht asgjë! Në ato vende fruta e perimet nuk analizohen me lodrën kineze. Të gjitha-kilogramë për kilogramë janë analizuar në laboratorë ekselence në vendet pritëse e të gjitha janë konsumuar në ato vende si produkte të shëndetshme!
Po atëherë c’ishte ky alarm histerik këtu. Për fat te keq po mësoj se ka qenë një fushate e paguar e blogereve e influencerëve-gazetare/e, prezantues/e, aktore/e, nutricioniste, dietologe. Për ca para kanë bërë një dëm kolosal ndaj bujqve, punës së tyre! Disa të paditur e disa që i kanë thënë “ik ….. shkollës, dijes e shkencës”, për ca para”- përfundon Braçe dhe më tej ka publikuar edhe përgjigjiet e marra nga AKU.
Për videon e publikuar nga gazetari Fevziu pati më herët edhe reagim nga ministrja e Bujqësisë Anila Denaj e cila hodhi poshtë pajisjen e përdorur nga Fevziu për matjen e nivelit të nitratit duke e cilësuar si të pacertifikuar. Gjerësisht zyrtarë të qeverisë, e cilësuan këtë si përpjekje për të dëmtuar prodhimin vendas. Versus.al







