Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sërish sot pyetjeve të bëra nga komentuesit në rrjetet sociale lidhur me Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Ai tha se ky institucion nuk është në krah të tij apo PS, por ekzistenca e tij varet nga socialistët, duke iu referuar edhe deklaratave të bëra dje nga Berisha i cili u shpreh se nëse vjen në pushtet, prokuroria e posaçme do të shkrihet si organ.
Sipas Ramës, SHBA-të tashmë janë tërhequr dhe kjo tregon se garancia e vetme për mbijetesën e SPAK është që PS të vazhdojë të jetë në pushtet.
“SPAK-u nuk është i imi, por i Kushtetutës dhe i Reformës në Drejtësi. Po për Reformën në Drejtësi marr përsipër autorësinë bashkë me PS. Besoj se tani jeni shumë më të qartë se ç’ishit se tani edhe Amerika është tërhequr nga kjo punë. Nëse SPAK-un do e kishte sjellë Amerika, tani që është tërhequr nga kjo punë, do ta kishte marrë me vete në Amerikë. Por jo, SPAK-u është këtu dhe ka vetëm një garanci. E vetmja gaanci për mbijetesën dhe shkuarjen përpara të SPAK-u në kushtet e kësaj lufte të gjithanshme që i bëhet nga këneta politike dhe mediatike me në krye bufin plak, është PS dhe unë në krye të saj. Rrotullojeni nga të doni, Reformën në Drejtësi e kam bërë unë me PS dhe e garantoj unë me PS, askush tjetër”- deklaroi kreu i qeverisë.
Sipas Ramës tashmë organi ndodhet në një fazë tjetër kur ka fituar vetëbesim dhe tashmë PS mund të bëjë kritika lidhur me ato që i konsideron si metoda të panevojshme. Ai tha se nuk mund të pranojë që paraburgimi të bëhet normë e zakonshme për të arrestuar këdoqoftë pa patur më parë një gjyq, duke iu referuar arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Versus.al







