POLITIKË /

Asambleja/ Klosi bën ‘analizën’: Fieri qarku më i fortë për PS, Tirana mbetet sfida kryesore! Në këto tre qytete vijon beteja!

Në mbledhjen e Asamblesë së Partia Socialiste e Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi prezantoi analizën e zgjedhjeve të vitit 2025, duke nxjerrë në pah FIER-in si qarkun më të fortë, sfidat në Tiranë dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve dhe grave në parti. Ai theksoi rëndësinë e përmirësimit të njohjes së listave dhe përdorimit të teknologjisë për organizimin më të mirë në terren.

Shkruar nga Versus
Asambleja/ Klosi bën ‘analizën’: Fieri qarku më i
Blendi Klosi

Sekretari i Përgjithshëm i Partia Socialiste e Shqipërisë, Blendi Klosi, ka paraqitur në mbledhjen e Asamblesë një analizë të detajuar të performancës së PS në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, në krahasim me ato të 2021-shit.

Sipas Klosit, Fier rezulton qarku më i fortë për socialistët, ndërsa Tiranë mbetet rezervuari më i madh i votave, por edhe sfida kryesore për partinë.

Ai theksoi se rezultatet e 2025-ës tregojnë se PS nuk është vetëm forcë e parë në shumicën e qarqeve, por edhe forca më e organizuar në terren.

“Nga 12% e anëtarësisë, numri i të rinjve u rrit në 25% krahasuar me 2021-shin. Numri i grave pati një rritje nga 26% në 34%. Dëshmi e qartë se vetëm në pak muaj riorganizimin përmirësuam ndjeshëm treguesit. Fieri del qarku më i fortë, por shumica e qarqeve janë mesazh stabiliteti për PS. PS nuk është vetëm forcë e parë, por është forca që organizon terren. Tirana është rezervuari më i madh i votës sonë, kjo e bën Tiranën edhe sfidën më të madhe. Lezha për pak vota nuk ia doli të ishte qark fitues, Kukësi dhe Shkodra mbeten territore ku beteja vazhdon. Ndryshimi ndaj 2021, kemi pasur disa pika të rëndësishme. Dibra fiton me 11.5% më shumë, Fieri 10.1%. Shkodra 9.6% më shumë, Gjirokastra me 8% dhe kështu qarqet vazhdojnë pothuajse të gjitha në tendencë rritje”, tha Klosi.

Ai bëri të ditur gjithashtu se është shënuar një rritje e ndjeshme e përfaqësimit të të rinjve dhe grave në parti. Sipas tij, pjesëmarrja e të rinjve është rritur nga 12% në 25%, ndërsa ajo e grave nga 26% në 34%, krahasuar me vitin 2021.

Ndërkohë, ai pranoi se humbja e një bashkie si Kavajë ka ndikuar negativisht në rezultatin e përgjithshëm të qarkut të Tiranës, duke shtuar se “Tirana është qark i fituar, por jo në maksimumin e PS”.

Në fund, Klosi theksoi nevojën për një rivlerësim të mënyrës së përzgjedhjes dhe njohjes së kandidatëve nga strukturat e partisë, duke sugjeruar përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për të përmirësuar organizimin dhe koordinimin në terren./Versus.al

 

Poll