POLITIKË /

'Babalja', Apeli lë në fuqi dënimin me 1 vit burg, Salianji: Jam i vetmi i dënuar politik në demokraci, fushatën do ta bëj nga burgu

Salianji e konsideroi veten si "të denuarin e parë politik" pas 34 viteve pluralizëm dhe deklaroi se do vijonte fushatën edhe nga burgu.

Shkruar nga Versus

'Babalja', Apeli lë në fuqi dënimin me 1 vit burg,

“Jam i dënuari i parë politik pas 34 vitesh”, kështu u shpreh deputeti demokrat Ervin Salianji pas vendimit të gjykatës së Apelit që la në fuqi dënimin me 1 vit burg ndaj tij nën akuzën e kallëzimit të rremë në dosjen e përgjimit të njohur ndryshe me emrin “Babale”.

Në deklaratën e dhënë për mediat, i shoqëruar nga 16 deputetë që shkuan në gjykatë për të mbështetur Salianji u shpreh se vendimi i Apelit ishte i paracaktuar me urdhër politik nga kryeministri Edi Rama dhe shtoi se e gjithë kjo bëhej për shkak se vendi ndodhej në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Ai pati dhe akuza për anëtarët e trupës gjykuese duke thënë se njëra prej gjyqtareve ishte kunata e zv.kryeministres Belinda Balluku dhe për këtë arsye e priste vendimin e marrë.

"Siç e dhe e ndoqët në seancë gjykata kish ardhur me vendim të parapërgatitur, gjykata e shtyu për të sjellë nëpërmjet avokatit të Fatmir Xhafaj vendimin. Gjykata në vend që të kthente për falsifikim në shkallë të parë, mori vendimin për ti pranuar provat që çuam ne dhe më pas dha këtë vendim. Është sikur një seksion i Partisë Socialiste të gjykohej nga një seksion i Partisë Demokratike. Njëra prej gjyqtareve është kunata e Belindja Ballukut, një tjetër është që flet nëpër tavolina që unë do të shkoj në Gjykatë të Lartë dhe për atë vras një njeri jo të jap një vendim për një anëtar të Partisë Demokratike. Unë kam bërë një beteje për interesa personale, jo për të vjedhur, vrarë apo trafik droge, por kundër trafikantëve të drogës. Ky është akti i parë, në të ardhmen do të kemi procese ‘mamale’ jo ‘babale’ më. Kjo është një medalje që shndrit në kraharorin tim. Do të jemi këtu për diskutuar procesin me themel. Pa diskutim që do të ndjekim të gjitha procedurat gjyqësore, Fatmir Xhafaj është njëriu që përdoret nga Edi Rama kundër ndërkombëtarëve që të kapë SPAK-un, procedura nuk varet nga unë. Jam i dënuari i parë politik pas 34 vitesh, aktivitetin dhe fushatën zgjedhore do ta bëj nga burgu"- u shpreh Salianji.

Me vendimin e marrë sot, Salianji humbet mandatin e deputetit dhe i hiqet e drejta e kandidimit në poste publike për 5 vitet e ardhshme. Ndërsa i pyetur nga gazetarët nëse do të dorëzohej vetë në drejtorinë e burgjeve, Salianji tha se do të ishte në dispozicion dhe se do të anulojë të gjithë takimet që ka patur. 

Çfarë është dosja “Babale”?

Në vitin 2018, Partia Demokratike botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se Geron Xhafaj vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E gjithë dosja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale.

Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti. Sipas hetimeve që i janë bërë kampionit të zërit, ai që dëgjohet në audio nuk është i Geron Xhafajt, por i Alizotit, i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi i ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.

Ai u shpreh se kishte vendosur të tregonte të vërtetën pasi “Babalja” nuk i kishte dhënë pjesën e parave që i detyrohej. Në dhjetor të 2019-ës, gjykata e Shkallës së Parë dënoi me 1 vit burg Salianjin nën akuzën e kallëzimit të rremë.

Sipas hetimeve, rezulton se Salianji ka qenë personi që kontaktoi me Albert Veliun dhe nëpërmjet gazetarit Jetmir Olldashi publikuan në selinë e PD audio-përgjimin e rremë. Ndërkohë, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Geron Xhafa la kampionin audio të zërit të tij në prokurori dhe u largua për t’u dorëzuar drejtësisë në Itali ku kishte për të vuajtur edhe 4 vite burg. Versus.al

Poll