POLITIKË /

Berisha: Deklaratat e Ahmetajt, “autopsia” e korrupsionit të Edi Ramës

Kreu i PD-së akuzon qeverinë për kapje të shtetit nga grupe kriminale: “Dosjet janë aktakuzë e rëndë edhe për drejtësinë”

Shkruar nga Versus

Berisha: Deklaratat e Ahmetajt, “autopsia” e korrupsionit të

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka cilësuar deklaratat e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj si një “autopsi të plotë” të vjedhjeve dhe korrupsionit të kryeministrit Edi Rama.

Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Berisha u shpreh se faktet e bëra publike nga Ahmetaj dëshmojnë se shteti shqiptar është vënë nën kontrollin e grupeve kriminale të lidhura me pushtetin. Ai përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë grupin e Troplinëve, duke deklaruar se, së bashku me Duranën dhe Ergys Agasin, kanë pasur akses dhe kontroll mbi të dhëna shumë të ndjeshme shtetërore, përfshirë dosje të prokurorive, gjykatave dhe shërbimeve sekrete.

Intervista e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj ishte autopsia më e thellë e vjedhjeve dhe korrupsionit të Edi Ramës, me dosje, dokumente dhe fakte. A mund ta imagjinoni ju, Durana – zona teknologjike e Durrësit – de facto territor i Troplinëve, të cilët me Agasin kanë kontrolluar çdo të dhënë të këtij shteti, nga dosjet më sekrete të prokurorive e gjykatave, deri te shërbimi i fshehtë. Këto dosje janë një aktakuzë e rëndë edhe për sistemin e kapur të drejtësisë”, - deklaroi Berisha.

Sipas tij, këto dosje tregojnë qartë dështimin e institucioneve të drejtësisë, të cilat, pavarësisht denoncimeve të shumta, nuk kanë vepruar. Berisha solli si shembuj konkretë çështjet e Porto Romanos dhe Ekoparkut në Durrës, për të cilat tha se janë denoncuar dhjetëra, në mos qindra herë, me dokumente dhe prova, pa asnjë reagim institucional.

Sa herë është denoncuar dosja e Porto Romanos? E Ekoparkut në Durrës? Me dhjetëra herë, me dokumente, me çdo gjë. Asgjë nuk ndodh. Pse? Sepse janë direkt Edi Rama dhe thjeshtra të implikuar”, u shpreh ai.
Berisha u ndal edhe te shpenzimet e pajisjeve të policisë, duke i quajtur ato abuzive dhe simbol të korrupsionit: “15 mijë euro kamera e policit – në asnjë vend të botës policët nuk përdorin kamera me këtë çmim. Është njëlloj si historia e kapeles së policit: polici suedez e ka 15 euro, polici shqiptar 320 euro”.
Në përfundim, kreu i PD-së theksoi se vetëm populli mund t’i japë përgjigjen përfundimtare kryeministrit, duke bërë thirrje për largimin e tij nga pushteti.

“Është populli dhe vetëm populli ai që duhet t’i japë Edi Ramës ndëshkimin e merituar, largimin e tij një minutë e më parë nga pushteti”, - përfundoi Berisha.

Poll