
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla foli sot në Kuvend për projektin e Zvërnecit duke u bërë thirrje edhe partive të tjera që të rreshtohen pro këtij projekti që sipas tij do ta vendosë vendin mes ligës së kampionëve për turizmin elitar.
Balla tha se qëndrimi i Berishës për të mbështetur investimin në Zvërnec, tregon kulturë shtetërore. Ndërsa partive të tjera të vogla që kanë mbështetur protestën e qytetarëve, Balla iu drejtua duke u thënë se ata që e kundërshtojnë projektin, dalin kundër interesit të vendit.
“Thatë që mbështesim investimin, gjë që tregon të paktën kulturë shtetërore. Sa i takon investimit në Zvërnec, jo ju, po edhe ju tjerët atje në fund të sallës, Shqipëria nuk e ka shansin as luksin ta humbasë këtë investim. Është një investim historik që do ta vendosë Shqipërinë tonë të përbashkët në ligën e kampionëve të vendeve me turizëm të zhvilluar. Ata që dalin kundër këtij investimi, nuk i shërbejnë interesit të vendit. Prandaj tregohuni me një qëndrim, jeni pro investimit apo kundër investimit. I gjithë diskutimi bëhet për këtë”- tha Balla mes të tjerash. Versus.al

