Në nisje të lidhjes “live” në rrjetet sociale ku u përgjigjet disa prej pyetjeve që i bëjnë komentuesit, kryeministri Edi Rama foli për disa prej politikave të ndërmarra, duke e nisur me atë të bonusit të pensioneve.
Ai sqaroi se pensionistët mund ta tërheqin duke nisur nga data 1 mars dhe se ndryshe nga ai i fundvitit, për ata që marrin më pak se 200 euro pension, bonusi do jetë 100 euro ndërsa për ata që marrin më shumë, bonusi do jetë 50 euro.
“Publikova vendimin e 9 janarit të qeverisë për dhënien e bonsuit për pranverën për pensionistët që do të shpërndahet që nga data 1 mars. Bonusi është 62 milionë euro, nuk janë pak për buxhetin e republikës tonë. Për të gjithë ata që marrin deri në 200 euro pension, do jetë 100 euro bonus dhe për ata që marrin mbi 200 euro pension, do jetë 50 euro bonus”- deklaroi kryeminstri.
Gjithashtu më tej foli për rrugën e Abrit, duke dhënë lajmin se në mars do të hapet edhe tuneli i Murrizit që u ka shkaktuar aq shumë probleme gjatë punimeve.
“Gjeologjia e tunelit të Murrizit doli shumë më e ndërlikuar se ç’ishte paraparë. Jemi në kushtet kur po shkojmë drejt përfundimit. Besoj shumë që më në fund, në mars do ta heqim edhe këtë sy të keë nga shpina sepse realisht ai tunel na ka marrë shpirtin. Por bashkë me pranverën do dalë edhe shpirti i keq nga tuneli dhe dibranët do të mund të vijnë me rrugën tërësisht të hapur dhe ato rrepirat pak të vështira për lehtësi të përkohshme do marrin fund”- u shpreh Rama. Versus.al








