POLITIKË /

SPAK-u në terren për të parandaluar krimet zgjedhore, Rama: Uroj të jetë lajthitje e momentit, shkelet e drejta e qytetarëve

Rama bëri thirrje që të ndalohen survejimet në terren që synojnë ndalimin e përdorimit të administratës në zgjedhjet e 11 majit.

Shkruar nga Versus
SPAK-u në terren për të parandaluar krimet zgjedhore, Rama: Uroj
Kreu i SPAK, Altin Dumani dhe kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me angazhimin e prokurorëve të SPAK lidhur me zgjedhjet e 11 majit për të ndaluar krimet zgjedhore. Ai bëri thirrje që të ndalet survejimi i partive politike në terren, duke pretenduar se kështu shkelen të drejtat dhe liritë e qytetarëve për të zgjedhur.

“Respektimi i standarteve të një drejtësie europiane është një tjetër betejë. Nuk mund dot të cënohen të  drejtat e pushtetit ekzekutiv apo të trysnohet administrata e shtetit, nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që të kthehemi në kohëra aq të errëta se kushdo që merret me politikë të survejohet”- u shpreh Rama.

Ai shtoi më tej se lufta kundër krimeve zgjedhore duhet të bëhet me bashkëpunim dhe jo nëpërmjet survejimit të pushtetit ekzekutiv.

“Përpjekja e përbashkët për të luftuar krimet elektorale, bëhet secili në pozicionin e vetë. Dalja nga këto pozicione është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptarëve.  Por mes këtyre është edhe domosdoshmëria për të mbështetur fuqimisht SPAK-un dhe GJKKO dhe të mos survejojmë njëri tjetrin”- deklaroi kryeministri.

Ditën e djeshme, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se brenda 10 ditëve do të ngrihen 13 grup seksione në vend të angazhuara për denoncimet dhe rastet e parandalimit të krimeve zgjedhore. Më herët SPAK ka bërë me dije ngritjen e task forcës me prokurorë të posaçëm të shpërndarë në qytete të ndryshme për të bërë të mundur garantimin e zgjedhjeve të lira dhe pa trysninë e grupeve kriminale ndaj qytetarëve. Versus.al

 

Poll