AKTUALITET /

Zgjedhjet e 11 majit/ Grupe në 12 qarqe dhe platformë ku qytetarët denoncojnë, SPAK plan për parandalimin e krimeve zgjedhore

Task Forca e ngritur për grupet hetimore në terren, do të ketë kryesues kreun e SPAK, Altin Dumanin. Fokusi do jetë në parandalimin e përdorimit të administratës publike apo grupeve kriminale në zgjedhje.

Shkruar nga Versus

Zgjedhjet e 11 majit/ Grupe në 12 qarqe dhe platformë ku

Prokuroria e Posaçme (SPAK) me urdhër të kreut të saj Altin Dumani, ka publikuar strategjinë e planifikuar për të parandaluar krimet zgjedhore më 11 maj.

Do të ngrihet një strukturë qendrore dhe grupe të përqendruara në terren që do të merren me hetimet gjatë periudhës zgjedhore. Fokusi do të jetë në parandalimin dhe hetimin e përdorimit të administratës publike dhe grupeve kriminale në procesin zgjedhor.

Masat kryesore

Ngritjen e një grupi hetimor (Task Forcë):

Grupi hetimor përbëhet nga a) një Strukturë Qendrore dhe b) grupet hetimore të dedikuara në terren që do të kryejnë veprime hetimore gjatë periudhës zgjedhore.

Struktura Qendrore do të drejtohet nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës.

Monitorimi dhe Hetimi

Grupet hetimore në terren do të kenë në përbërje prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës, të ndarë sipas 12 Qarqeve dhe 61 Bashkive.

Grupet hetimore në terren do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.

Bashkëpunimi

Kreu i SPAK, Altin Dumani do të nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi me kreun e policisë dhe prokurorisë së përgjithshme. Një prej hetuesve të BKH do të jetë nën kontakt të ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me qëllim shkëmbimin e informacioneve dhe të dhënave në kohë reale.

Grupet hetimore në terren do të bashkëpunojnë me prokurorët e rretheve dhe drejtuesit e policisë apo me median lidhur me informacionin që disponojnë.

Denoncimet dhe Marrëdhëniet me Publikun

Do të ngrihet një platformë e posaçme për denoncime nga qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë një numër emergjent, raportime online dhe adresë email-i.

SPAK sqaron se informacione të tilla janë të natyrës informuese, ndërsa kallzime penale janë vetëm ato që dorëzohen në formë të shkruar.

“Informacionet e marra nëpërmjet kësaj platforme konsiderohen të natyrës informuese. Ndërkohë kallëzime penale do konsiderohen vetëm ato që depozitohen në prokurori në formë të shkruar dhe në formë të rregullt procedurale. Prokurorët detyrohen që të marrin vendime dhe të njoftojnë kallëzuesin vetëm për këto kallëzime penale.”- thekson SPAK.

Gjithashtu do të ngrihet një grup pune që do të monitorojë të dhënat e bëra publike në media dhe rrjetet sociale e që më pas këto të dhëna do t’ua paraqese grupeve hetimore në terren.

Monitorimi Financiar

Një grup pune më përbërje hetues të hetimit financiar dhe ekspertë të tjerë të fushës në SPAK do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike të cilët nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme.

Në përfundim të informacioneve mbi masat e marra për të hetuar apo parandaluar krimet zgjedhore, SPAK ka ftuar qytetarët, mediat, institucionet publike apo private që të denoncojnë çdo akt kriminal që cënon integritetin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Versus.al

Poll