POLITIKË /

“Budallallëk historik”, Çuçi për ligjin e luftës së Greqisë: Mos të presin edhe 84 vite të tjera për ta hequr

Shkruar nga Versus
“Budallallëk historik”, Çuçi për ligjin e
Bledi Çuçi

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit kërkoi që deputetët e opozitës të votojnë në unanimitet të plotë projektdeklaratën për heqjen e ligjit të luftës së Greqisë të cilin shteti fqinj e ka në fuqi që prej nëntorit të vitit 1940.

Çuçi tha se donte që deklarata të votohej pa komente të krahut politik, ndërsa e cilësoi si një “budallallëk historik” lënien në fuqi të këtij ligji edhe pas 84 vitesh.

“Doja që këtë deklaratë ta kalonim pa asnjë koment politik dhe pa spërkalur nga e gjithë politika e ditës. Por për fat të keq nuk i shpëtoi kësaj gjatë diskutimit. Nuk dua të polemizoj me parafolësin. Mbajtja ende në fuqi e këtij ligji kur jemi aleatë në NATO, është një absurditet i madh. Një atavizëm që nuk u bën nder fqinjëve tanë jugorë dhe nuk reflekton partneritetin që ne kemi. Do ishte dashur që ky ligj të ishte shfuqizuar menjëherë pas luftës së 2-të botërore siç Greqia bëri me Italinë. Nuk na duhet të presim edhe 84 vite të tjera për të korrigjuar këtë budëllallëk historik siç e ka konsideruar ministri i Jashtëm grek pak kohë më parë”- tha Çuçi.

Sipas tij, me miratimin e kësaj deklarate, synohet që institucioneve greke t’u kërkohet të mbajnë më shumë përgjegjësi lidhur me mosveprimin e tyre për heqjen e ligjit të luftës siç bënë asokohe me Italinë pas Luftës së Dytë Botërore.

“Deri më tani nuk është arritur në finalizimin e një vendimi të parlamentit grek për shfuqizimin e këtij ligji. Unë besoj se ne mund tëjemi një shembull i mirë edhe për popujt e tjerë të ballkanit sesi fqinjësia e mirë sjell paqe dhe qëndrueshmëri. Me miratimin e kësaj deklarate duam që të rritet pesha e përgjegjësisë të institucioneve greke për këtë ligj lufte”- shtoi kreu i grupit parlamentar socialist.

Më herët gjatë seancës parlamentare deputeti i opozitës, Agron Gjekmarkaj përgëzoi kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi për projektdeklaratën duke shtuar se shpresonte që kjo të mos bëhej në kontekstin ku ndodhen aktualisht marrëdhëniet mes dy vendeve për shkak të çështjes me bashkinë e Himarës. Versus.al

Poll