
Në Kuvend po diskutohet sot projektdeklarata e paraqitur nga PDIU për heqjen e ligjit të luftës të Greqisë me Shqipërinë. Qëllimi është që të miratohet një projektdeklaratë e përbashkët e deputetëve që t’i dorëzohet institucioneve greke.
Në foltoren e parlamentit, pati diskutime të shumta mes deputetëve, nga kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi i cili tha se kjo “skizofreni” duhet të përfundojë tek deputeti Dashamir Shehi i cili përmendi problemet të cilat fshihen pas qëndrimit në fuqi të këtij ligji.
“Këtu vijmë e ulemi për çdo gjë tjetër por ligjin e luftës nuk e përmendim. I takon këtij Kuvendi që ta mos e lërë këtë çështje në dorë të krizave me Greqinë. Ky është rasti që me një akt politik ta institucionalizojmë këtë çështje dhe t’I tregojmë Greqisë që të mos e mbajë në fuqi këtë skizofreni siç e kanë quajtur edhe ministrat grekë”- u shpreh Idrizi.
Deputeti Shehi tha se pavarësisht uljeve dhe ngritjeve që kanë pasur marrëdhëniet mes dy vendeve, miratimi i kësaj projekt-deklarate u sjell dinjitet çamëve që kërkojnë pronat e tyre.
“Do të ishte një idiotësi që ky ligj të vazhdojë të mbetet në fuqi. Unë gjykoj që për disa çështje, të atyre të pronave dhe përveç ndonjë presioni të vazhdueshëm, nuk ka asnjë vlerë tjetër. Më e mira e të gjithave, është se të gjitha palët janë dakord për këtë punë. Po në këtë parlament 20 vite më parë kemi bërë një rezolutë të ngjashme dhe nuk ka pasur ndonjë peshë të madhe.
Po ua kujtoj se 20 vite më parë kanë pasur ca burra që nuk kanë pyetur se ku u shkon karriera. Ky ligj nuk është vetëm për çamët por për shqiptarët se ata Shqipërisë i shpallën luftë.
Por kjo nuk duhet të duket sikur ka lidhje me problemet që janë aty për Himarën. Unë gjykoj se s’duhet të jetë kjo filozofia. Kemi pasur zig-zaget tona me Greqinë, kemi çështjen e detit, ligjin e luftës, pronat e çamëve. Komuniteti çam në Shqipëri nuk kërkon ndryshim kufijsh dhe asgjë, por duan pronat e veta. Bashkë me të kërkojnë një pjesë të dinjitetit të tyre. Unë gjykoj që ky parlament ka detyrimin ta abrogojë këtë rezolutë”- tha Shehi.
Nga ana tjetër deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj u shpreh se nisma e Idrizit është për t’u përgëzuar por theksoi se uronte që të mos bëhej për t’i shërbyer ndonjë plani të Ramës në situatën kur ndodhemi në çështjen delikate të Himarës.
“I drejtohem Idrizit duke e përgëzuar dhe duke shpresuar se kjo nuk u fut me idenë e një patriotizmi folklorik në situatën me çështjen e Himarës. Përndryshe për një gjë të tillë asnjë në Kuvend nuk ka ndonjë dilemë. Deri tani marrëdhëniet me Greqinë kanë rënë në nivelin më të ulët për shkak të politikave diletike të kësaj qeverie. Kemi problem standartesh për të cilat duhet të sigurohemi të gjithë që vota e himarjotëve të mos merret peng nga pushteti”- tha Gjekmarkaj. Versus.al







