POLITIKË /

“Diella fenomen botëror, ka konkurruar me Angelina Jolie”, Rama: S’do jetë totalisht e pavarur

Rama tha se ministrja virtuale do jetë e auditueshme në çdo hap të procesit duke i bërë të gjurmueshme proceset e ndjekura për përzgjedhjen e një kompanie fituese të një tenderi.

Shkruar nga Versus
“Diella fenomen botëror, ka konkurruar me Angelina Jolie”,
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama teksa mbajti fjalën e tij në konferencën e organizuar për 30 vjetorin e prokurimeve publike, nuk la pa përmendur edhe ministren virtuale “Diella” të cilën e konsideroi si “fenomen botëror që ka konkurruar edhe Angelina Jolie”.  

Mes të tjerash ai pati edhe një përgjigjie për skeptikët të cilët shprehen se edhe Diella mund të manipulohet nëpërmjet algoritmeve.

“Duam të shkojmë aq larg sa na çon bekimi i teknologjisë që janë dhurata të një kohe të re për vende si i yni ku gjithë prapambetja e shkaktuar nga historia mund të kapërcehet me fuqinë e progresit eksponencial që sjell teknologjia. Jemi në një proces të avancuar për të kaluar të gjithë procesin e prokurimeve publike në duart e inteligjencës artificiale me një përqindje shumë të lartë të procesit që nuk përfshin njeriun. Të gjithë e keni dëgjuar Diellën sepse diella është bërë një fenomen botëror. Është një grua që për nga interesi që ka shkaktuar në gjithë botën, ka arritur të konkurrojë në një moment në kohë Angelina Joline. Nga ana tjetër me siguri keni dëgjuar të gjithë skeptikët lidhur me hyrjen e Diellës në këtë proces. Spektikët sipas të cilëve, algoritmet mund të kthehen në problem pasi janë të manipulueshme nga njerëzit”- u shpreh  Rama.

Ai tha se Diella nuk do të veprojë totalisht e pavarur pasi do të jetë lehtësisht e autidueshme dhe se vendimi do të merret në fund nga komisioni bazuar në informacioni që ajo do ju paraqesë mbi kompanitë që do të konkurrojnë për një tender publik.

“Është e habitshme sesi njerëz me njohje shumë herë më të madhe sesa unë dhe ne lidhur me Inteligjencën Artificiale, ngrenë si shqetësim këtë aspekt, ndërkohë që ajo që është shumë e thjeshtë për t’u shpjeguar është fakti se Diella nuk do veprojë totalisht e pavarur nga sytë e aktorëve të interesuar, por lehtësisht do jetë e auditueshme nga aktorët e interesuar. Procesi do jetë i bazuar në ligjin e prokurimeve sa i takon dokumentacionit përkatës. Cilido që do dojë ta rishikojë manualisht me sytë e njeriut procesin, do ketë mundësi ta bëjë këtë. Asgjë që del nga procesi si rezultat nuk do jetë e pagjurmueshme në rast nevoje të auditimit të hapave që sollën rezultat. Vendimin përfundimtar do ta marrë përsëri komisioni bazuar në të dhënat që Diella nxjerr në tavolinë”- shtoi kryeministri. Versus.al

Poll