
Kryeministri Edi Rama ka patur së fundmi një reagim për gazetarin e “Euroactiv” i cili kishte publikuar përgjigjien e ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha përsa i takon kampit të Gjadrit.
Duke e nisur me një batutë për emrat e tyre të njëjtë, Rama shkroi se citimi i publikuar prej tij për përgjigjien e Hoxhës, ka qenë i shkurtuar dhe çorientues për t’u përcjellë sipas dëshirës.
“I dashur Eddy Wax, e kuptoj që është argëtuese të krijohet një histori “Edi kundër Eddy”, por këtu realisht nuk ka vend për një gjë të tillë, sepse së pari, unë nuk u ankova për Edi-n tjetër, dhe së dyti, tani që ti me bujari publikove transkriptin e plotë, është krejtësisht e qartë se citimi i shkurtuar ishte mjaftueshëm çorientues që kushdo me një interes ideologjik të caktuar ta përdorte sipas dëshirës së vet.
Por sinqerisht, aspak hatërmbetje. Njëri Eddy duhet të bëjë atë që dëshiron, dhe Edi tjetër duhet ta durojë atë. Në fund të fundit, thelbi mbetet i pandryshuar: Çfarë Italia kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria”- shkroi Rama i cili më herët deklaroi qartazi se marrëveshja mes dy vendeve për pritjen e emigrantëve do të vijojë. Versus.al

