
Këtë të shtunë, Kryeministri Edi Rama do të mbledhë Asamblenë e Partia Socialiste e Shqipërisë në Durrës, në një takim që vjen pas ndryshimeve të fundit në qeveri dhe që pritet të shërbejë për dhënien e direktivave të reja për strukturat e partisë.
Mbledhja do të nisë në orën 10:00, ku fjala hapëse do të mbahet nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, për t’ia lënë më pas fjalën kryesocialistit Rama.
Në axhendë parashikohet një analizë e punës së Organizatave Socialiste në rang vendi, si dhe udhëzime për zhvillimin e zgjedhjeve të brendshme të partisë. Gjithashtu, do të bëhet një analizë e detajuar e performancës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Fokusi i diskutimeve do të jetë edhe përgatitja për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa një tjetër pikë e rëndësishme pritet të jetë organizimi i partisë në diasporë.
Sipas një projektvendimi, socialistët do të nisin një fushatë të gjerë regjistrimi të anëtarësisë në disa shtete ku jetojnë shumica e shqiptarëve, përfshirë Italia, Greqia, Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja.
Një nga objektivat kryesorë është krijimi i një baze të dhënash për anëtarët dhe përkrahësit e PS jashtë vendit. Strukturat vendore të partisë do të angazhohen për të rikontaktuar emigrantët shqiptarë, bazuar në të dhënat e mbledhura gjatë fushatës së fundit zgjedhore, për t’i informuar mbi procedurat e regjistrimit.
Në projektvendim theksohet se regjistrimi në këtë databazë duhet të kryhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale./Versus.al

