POLITIKË /

Edi Rama para socialistëve në Tiranë: U përdorën foto të rreme për të ushqyer zemërim e protesta

Ndërkohë që Rama mban fjalën e tij, protestuesit janë mbledhur në sheshin Skënderbej për të marshuar drejt kryeministrisë.

Shkruar nga Versus

Edi Rama para socialistëve në Tiranë: U përdorën foto

Kryeministrit Edi Rama mbajti fjalën e tij para një numër të madh socialistësh të mbledhur në sheshin ‘’Italia’’ në kuadër të 35 vjetorit të krijimit të kësaj force politike. Pa humbur kohë, Rama nisi të fliste menjëherë për protestat masive të qytetarëve duke i ironizuar protestuesit dhe duke thënë se ishin mashtruar nga postime të rreme në rrjete sociale për shitjen e tokës dhe kufirin Shqipëri-Izrael në Zvërnec.

‘’Puna e solli që pikërisht në muajin e kremtimit të 35 vjetorit të lindjes së kësaj familje për Shqipërinë, një masë e madhe njerëzisht të dilte vrullshëm mbi sipërfaqen e kanaleve të internetit dhe një bashkësi përfaqësuese e saj të merrte në zotërim çdo mbrëmje bulevardin e Tiranës. Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi madhor që do të ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomikë dhe socialë të Shqipërisë. Duke futur të paktën 4 miliardë euro në një ekonomi me volum të përgjithshëm prej 27 miliardë eurosh, vetëm ky investim është më shumë se 1/7 e Prodhimit të Përgjithishëm të vendit tonë dhe 2 herë më shumë se gjithë stoku i investimeve të huaja në Shqipëri vitin e shkuar.

Edhe unë personalisht po të isha një qytetar që informohet nga rrjetet sociale duke dëgjuar dhe parë turli llojet e gjysmë të vërtetave me vorbullat e kanaleve të dala me tërbim nga shtrati si dhe lloj lloj videosh dhe fotosh të sajuara për të ushqyer zemërimin, pelikanë të ndodhur, flamingo në arrati, gradaçela mbi lagunën dhe mbi Sazan, tabelë kufiri e Izraelit mbi gardha me gjemba, do kisha dalë në bulevard i llahtarisur nga gjithë ai apokalips digjital. Do të më dukej edhe mua që e keqja e gatuar pas shpinës së popullit ishte aq e tmerrshme sa befas krejt bota u zgjua si nga një ankth dhe u bashkua kanal më kanal e kontinent më kontinent për të shpëtuar atdheun tim të vogël nga një investim shkatërrues për jetën e gjelbër, shfarrosës për breshkat e ujit, vrastar për njerëzit. Dhe padiskutim anulimi i një projekti kriminal që u trumbetua me nota ulëritëse dhe si shitje e të vetmit ishull të Shqipërisë si falje e tokës publike në zonë të mbrojtur, do më dukej më e pakta gjë që duhej të ndodhte’’- tha Rama. Versus.al

 

Poll