POLITIKË /

Falja e gjobave për ndërtimet pa leje, Korreshi: Ka të dënuar vetëm se kanë vendosur një llamarinë

Deputeti demokrat argumentoi se duhet të ketë edhe një veprim sa i takon dënimeve penale të dhëna ndaj personave që kanë bërë një shtesë pa leje.

Shkruar nga Versus

Falja e gjobave për ndërtimet pa leje, Korreshi: Ka të

Në komisionin për Çështjet Ligjore është kaluar me 14 vota pro projektligji për anullimin e masave administrative. Bëhet fjalë për nismën e depozituar në Kuvend nga grupi parlamentar socialist për faljen e gjobave ndaj personave që kanë ndërtuar pa leje për qëllim strehimi.

Para votimit, pati edhe diskutime mes deputetëve të pranishëm. Demokratët Dashnor Sula e Saimir Korreshi argumentuan se duhet të shkohet përtej faljes së gjobave dhe të vazhdohet me heqjen e dënimeve që rëndojnë ndaj të ndëshkuarve.

Korreshi përmendi disa prej rasteve kur persona vërtet në nevojë janë gjobitur pse kanë ndërtuar për të riparuar shtëpinë pas zjarrit apo tërmetit. Ai arsyetoi se për këta persona duhet të shkohet më tej dhe t’u pastrohet dosja për shkelje administrative.

“Po ana penale për ata që janë dënuar? Janë dënuar gjysma e Shqipërisë. Po bëjmë një amnisti administrative, po falim gjobat por ndërkohë nesër kur të paraqesin një certifikatë me dëshmi penaliteti, dalin të gjithë të dënuar pikërisht pse kanë riparuar banesat.

Po tju jap një rast në Savër, është dënuar një person vetëm se ka vënë një mallarinë. Pa mur rrethues, është dënuar me shërbim prove plus gjobë. Çfarë t’i themi këtij ne, që nuk meriton të falet dënimi do quhesh i dënuar se ke vendosur një llamarinë? Po ju jap një rast në Zhelizhanë, është marrë masë administrative me të atin duke vdekur, vetëm se ka përforcuar murin.

Në 2022-in në një lagje një zonje iu dogj shtëpia, shtëpinë normalisht e ka cuni tashmë. Ka shkuar ky të forcojë muret në të njëjtat themele, pa bërë një gjë të re, ka bërë rikonstruksion total sepse i ishte djegur çatia dhe muret ishin dobësuar. Bashkia Lushnjë i kishte vendosur gjobë 5 mln lekë, kallëzim po e po, por edhe vendim për prishje”- u shpreh mes të tjerash Korreshi.

Projektligji që tashmë do të votohet në Kuvend seancën e radhës, ngjalli shumë debate mes qeverisë dhe opozitës me këtë të fundit që akuzoi socialistët se kishin ndëshkuar për 12 vite njerëzit e pafuqishëm që kanë ndërtuar për t’u strehuar dhe jo ndërtuesit e mëdhenj në mes të kryeqytetit. Versus.al

Poll