
KQZ publikoi sot një model të fletës së votimit për zgjedhjet e 11 majit që u është dërguar për konsultim partive politike.
Ajo çfarë ra në sy nga ky model, ishte madhësia e fletës ku do të jenë të renditura partitë politike garuese dhe mes tyre edhe emrat e kandidatëve për deputetë, pasi një pjesë e listave do të jenë të hapura.
Siç shihet edhe në foton ku gazetarja e politikës, Esiona Konomi tregon fletën e votimit, në modulin e sugjeruar janë përfshirë vetëm 8 kolona me vetëm 8 parti dhe sërish fleta e votimit është shumë e madhe. Në rast të regjistrimit të më shumë se 8 partive politike apo koalicioneve, logjikisht fleta do të jetë akoma dhe më e madhe.
Ndërkohë në 2021-in, kur deputetëve u duhej të thyenin herësin e votave për të hyrë në Kuvend pavarësisht renditjes në listë, fleta e votimit ishte e formatit A3 dhe më e përmbledhur sa i takon mundësisë së zgjedhjes së alternativave.
Në këtë foto është fleta e votimit zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 kur kandidonin 12 parti në qarkun e Tiranës së bashku me kandidatin e pavarur. Shqetësimet janë që ky model të mos krijojë vështirësi tek votuesit të cilët do të zgjedhin forcën e tyre të preferuar politike më 11 maj. Versus.al







