POLITIKË /

Hetimet ndaj Ballukut, ish-ministri Malaj: Prezumimi i pafajësisë, parim që s'duhet shkelur

Malaj tha se drafti i Kodit Penal përbën një mundësi të rishikimit të prezumimit të pafajësisë që sipas tij duhet të respektohet në çdo fazë të hetimit për zyrtarët e lartë dhe për çdo qytetar.

Shkruar nga Versus

Hetimet ndaj Ballukut, ish-ministri Malaj: Prezumimi i pafajësisë,

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ekspert i njohur i ekonomisë gjatë një interviste për “Panorama.al” ka komentuar hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë, mes të cilëve edhe zv.kryeministres Belinda Balluku.

Ai tha se këto hetime kanë ndikim të lartë në perceptimin publik, por theksoi se vendimet për zyrtarët që janë nën hetim i takojnë kryeministrit Edi Rama ndërsa vendimi për të dhënë dorëheqjen mbetet çështje personale dhe individuale. Sa i takon çështjes për të cilën hetohet Balluku, Malaj theksoi se Shqipëria ka nevojë për një kulturë shtetformuese me ndarje pushtetesh, ku themeli të jetë prezumimi i pafajësisë. Sipas tij, çdo person që nuk është dënuar me vendim të formës së prerë, është i pafajshëm.

“Mundohem të theksoj gjithmonë se vendi ynë ka nevojë për një kulturë shtetformuese, ku në qendër është ndarja, balanca dhe kontrolli mes tri pushteteve: qeveria, parlamenti dhe gjyqësori. Në këtë aspekt, prezumimi i pafajësisë është një element thelbësor i të drejtave universale të çdo individi. Çdo person që nuk është dënuar me vendim të formës së prerë është i pafajshëm dhe nuk duhet t’i cenohen të drejtat e tij njerëzore”- tha Malaj.

Ndër të tjera, ish-ministri theksoi se rikishimi i Kodit Penal për të cilin është përpiluar një draft që po konsultohet, përbën një moment të rëndësishëm për të korrigjuar kuadrin aktual ligjor duke forcuar balancën mes etikës publike dhe respektimit të të drejtave themelore siç është prezumimi i pafajësisë. Malaj kritikoi mënyrën se si u ngrit debati parlamentar mbi çështjen Balluku, duke e konsideruar kërkesën e opozitës për arrestimin e saj si një qasje që “nuk i shton asgjë debatit politik dhe institucional”.  Versus.al

Poll