
Pas një seance maratonë që nisi në orën 10:00 të mëngjesit të së mërkurës dhe zgjati thuajse 16 orë, Kuvendi ka miratuar në parim projektbuxhetin e vitit 2026 me vlerë 8.8 mld euro si dhe paketën fiskale që përmbante 8 projektligje.
Për projektbuxhetin votuan pro 83 deputetët socialist, ndërsa opozita siç pritej ka votuar kundër. Ndërkohë sa i takon paketës fiskale, vetëm deputetët e PS Erion Braçe e Vullnet Sinaj kanë dalë nga rreshti duke mos i votuar 3 prej projektligjeve.
Gjatë seancës së djeshme mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se projektbuxheti përmbante premtimet e bëra nga PS përgjatë viteve. Ndaj fjalës së tij, deputetët e PD kthyen shpinën në formë revolte për 40 minuta. Me të prezantuar projektbuxhetin, Rama u largua nga salla ndërsa Kuvendi vijoi me debate e përplasje mes zv.kryeministres Belinda Balluku dhe kreut të partisë Mundësia, Agron Shehaj. Versus.al

