POLITIKË /

Investigimi i “Rai 3”, Rama: Baltë e 'non-gratës', u përdorën figura të errëta për të na njollosur

Nëpërmjet një videomesazhi Rama i cilësoi dokumentarët e publikuar nga “Rai 3” për lidhjet e qeverisë shqiptare me krimin e organizuar si “një baltë e pamerituar” për Shqipërinë.

Shkruar nga B.V
Investigimi i “Rai 3”, Rama: Baltë e
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj dokumentarit më të fundit të publikuar nga emisioni “Report” ku u dha edhe intervista e tij të cilës i ishte bashkangjitur edhe një video e fshehtë e bërë ndaj ish-zv kryeministrit Arben Ahmetaj ku ky i fundit akuzonte kreun e qeverisë për lidhje me botën e krimit.

Duke e cilësuar investigimin e Rai 3 si “çorbë Tik-Toku”, Rama tha se janë përdorur figura të errëta për të hedhur baltë ndaj qeverisë, duke nënkuptuar kështu edhe ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetajn dh eish-kryeministrin Sali Berisha të shpallur non-grata.

“U përdorën si  heronj të këtyre shfaqjeve figura të errëta, një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga gjykata speciale antikorrupsion, një i përjashtuar nga Vetingu në sistemin e drejtësisë. U mor edhe ndonjë  opinionist, veteran i luftës me gjysmë të vërteta kundër meje e qeverisë sonë qysh se s’mbahet mend e ku di unë kush tjetër, ndërkohë që u trajtuan si personazhe negativë të shfaqjes, drri tek personalitete të politikës e të kulturës italiane apo lloj-lloj individësh të njohur e të panjohur në Shqipëri, duke hedhur baltë akuzash e dyshimesh, pa asnjë lloj fakti”- u shpreh Rama ndër të tjera.

Ai u bëri thirrje shqiptarëve që t’u japin mesazhin e duhur duke braktisur ata të cilët sipas tij kanë hedhur baltë mbi të dhe Shqipërinë pa pasur prova.  

“Nuk tha asgjë tjetër përveccse ujëra të zeza të ‘non gratës’ që i shërbejnë llumit, asgjë të pakontestueshme logjikisht, pale juridikisht nga ky psuedoinvestigim. Ka akuza nga kush, të bazuara mbi çfarë? Ai tha ata thonë, ai u takua me atë, thuhet se bëhet kjo. Janë arrestuar, jo s’janë arrestuar. Ka dhe akuza për vëllain e këtij. Po të paktën pala italiane e pranoi që nuk mendojnë se Shqipëria është narkoshtet, por ata që janë këtu dhe mblodhen për të bërë një çorbë ‘bio shqiptare’ Nuk kam asgjë me italianët, bënë shërbimin e tyre dhe ikën. Unë e kam me shqiptarët e zakonshëm, u them mos i falni më, braktisini në ujërat e zeza ku notojnë, pakica që ende nuk i ka brakisur të paktën të mos u shkojë nga pas”- shtoi kreu i ekzekutivit.

Pas akuzave të rënda nga ana e Ahmetajt i cili shprehet në bisedë me gazetarin italian dhe disa miq të tij se Rama priste në zyrë njerëz të botës së krimit, opozita ka paralajmëruar një protestë para Kuvendit të enjten në orën 10:00.

Mesazhi i plotë i kryeministrit:

Dëshiroj të ndaj me ju eksperiencën time me programin Report të RAI3. Një eksperience intensive, sa fyese në aspektin njerëzor, aq edhe sfiduese në aspektin, le të themi profesional, megjithëse politika për mua nuk është profesion, është mision.

Ishte fyese sepse përtej personales, keqardhjes, dhimbjes nga padrejtësia e imponuar e vendosjes në shënjestër, për shkak të fushatës elektorale në Itali e të luftës mediatike atje, ndaj homologes sime në krye të qeverise italiane, kjo eksperiencë kishte ne përmbajtje shume baltë për Shqipërinë; baltë e prodhuar këtu, në Tirane, për luftën politike ndaj meje e qeverise sonë dhe këtë ju e dini të gjithë.

Dhe e gjithë ajo baltë e eksportuar nga këtu në Itali dhe e ekspozuar në ekranin e Shërbimit Publik italian, me lloj-lloj emra shqiptarësh e me dyshime të pambështetura në fakte, pa asnjë interes për publikun italian, që as nuk di e as nuk i intereson kush është X-i e Y-ni në Shqipëri, ishte padyshim një baltë krejt e pamerituar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Dëgjoni, Shqipëria s’është më ajo që ishte, kjo shihet kudo, flitet ngado, mirëpo disa që janë mësuar ta na shohin e ta trajtojnë Shqipërinë si vend të botes së tretë, nuk na e falin dot suksesin, çlirimin nga hijet e të shkuarës, kokën e ngritur lart. Prandaj dhe pesë kulla në Tiranë ju duken si 500 ngaqë as e kanë imagjinuar që Tirana do të bëhej kjo që vetëm sapo ka filluar të duket , se skanë parë gjë akoma. Dhe e vetmja mënyrë që gjejnë, me ndihmën e gojëve mos e themi të politikanëve pa atdhe e të papagajve të tyre pa skrupuj, është të hedhin baltë për të  na pikturuar pacipërisht si mafiozë, trafikantë, kriminelë…

Po për mua cenimi me gjysmë të vërteta i Shqipërisë në gjuhë të huaj, nga cilidoqoftë e sidomos nga vendet fqinje, ku jeton edhe pjesa më e madhe e shqiptarëve të Europës, është një sulm mbi emrin, mbi nderin, mbi flamurin tonë kombëtar, mbi çdo shqiptar dhe pikë. Kush e bën, duhet ta mësojë se koha kur shteti shqiptar, qeveria, kryeministri i Shqipërisë, rrinin si skutha që bënin te fortin me të dobëtit këtu brenda dhe te menderosurin para të huajve, ka vdekur.

U habiten gazetarët e Reportit dhe e thanë që unë jo nuk i ika asnjë pyetjeje, po e kërkova vetë, publikisht ballafaqimin me ta. Thanë që këtë politikanët e tyre nuk e bëjnë dhe e quajtën madje kurajë të madhe, po ne fakt e imja s’është kurajë, është krenari për Shqipërinë dhe për emrin shqiptar.

Shqiptarët e Italisë, Greqisë e kudo tjetër, nuk kanë për të qenë kurrë vetëm sa të jem unë këtu, përballë asnjë cenimi të emrit shqiptar. Kane vuajtur boll për ta ngritur kokën dhe as ata, as Shqipëria nuk e ulin më kokën.

Ne e dimë më mirë se kushdo plagët, problemet, të metat e dobësitë që kemi dhe që i luftojmë përditë me to. Po kush hedh baltë mbi Shqipërinë e mbi shtetin shqiptar, duke na treguar edhe me gisht siç bënin dikur që s’u linin kusur shqiptarëve, duhet e do ta  marrë kurdoherë përgjigjen tonë. Me punë patjetër po dhe me fjalë, sa herë që ëhstë nevoja. Me vepra dhe me krenari sa herë që ne flasim për Shqipërinë.

Ata thanë që nuk e kishin me Shqipërinë e me popullin shqiptar. Po ama dëmin ia bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në sytë e të gjithë audiencës së tyre italiane dhe nëse nuk ishin nisur me këtë mendim, këtë bënë.

Po me kë e kishin ata?

Ata e kishin me qeverinë e tyre dhe deri këtu janë në të drejtën e tyre të shenjtë. Por ama kur pastaj fusin në valle edhe qeverinë tonë, duke marrë autobote me llum nga kanalet e ujërave të zeza politike e mediatike këtu në Tiranë, për të thënë se marrëveshja e qeverisë së Italisë me qeverinë e Shqipërisë është jo vetëm e keqe, po edhe është bërë me një narkoshtet, me një qeveri ku shumë anëtarë të saj na qenkan të dënuar dhe të lidhur me mafian, ata shkelin, jo vetëm mbi të vërtetën, po edhe mbi nderin e mbi dinjitetin tonë shtetëror dhe kombëtar.

Bashkëpunimi me një grusht shqiptarësh që ju i njihni shumë mirë, s’kanë atdhe, s’kanë fe, s’kanë din e as iman, që jo nuk e bindin dot popullin këtu, megjithëse shajnë e shpifin ditë-natë prej vitesh të tëra, po vetëm humbasin e diskreditohen përditë në sytë e tij, RAI 3 dha dy shfaqje të neveritshme të një gjasme gazetarie investigative.

U përdorën si  heronj të këtyre shfaqjeve figura të errëta, një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga gjykata speciale antikorrupsion, një i përjashtuar nga Vetingu në sistemin e drejtësisë. U mor edhe ndonjë  opinionist, veteran i luftës me gjysmë të vërteta kundër meje e qeverisë sonë qysh se s’mbahet mend e ku di unë kush tjetër, ndërkohë që u trajtuan si personazhe negativë të shfaqjes, drri tek personalitete të politikës e të kulturës italiane apo lloj-lloj individësh të njohur e të panjohur në Shqipëri, duke hedhur baltë akuzash e dyshimesh, pa asnjë lloj fakti.

Por në fund shfaqja që dukej si një çorbë tik-toku, qep, shqep e bashko fjalë e imazhe sipas skenarit, nuk tha asgjë të re përveç jashtënxjerrjeve të ujërave të zeza të politikës Non Grata e të kanaleve mediatike këtu në Shqipëri, që i shërbejnë asaj llum politike. Asgjë pakontestueshme logjikisht, nuk kishte aty e lëre pastaj të vlefshme juridikisht, nga ky pseudo investigim italo-shqiptar, po vetëm u mbars mali dhe polli një mi, duke u justifikuar në fund se prova s’ka po ka akuza”!

Akuza nga kush, mbi çfarë baze faktike, mbështetur mbi cilat të vërteta të provuara? Një shfaqje televizive si një version demokratik i hetimeve famëkëqija të Sigurimit të Shtetit, “ky tha, ai tha, ata thonë”, “ai takoi atë”, “ky u takua me atë”, “ti takove ata”, “thuhet se këtu bëhet kjo”, “thonë se në Shqipëri ndodhin këto”, “janë arrestuar, jo s’janë arrestuar”, “janë të lidhur, jo s’janë të lidhur”, “thanë dy kriminelë që njohin atë”, “ka akuza për vëllain e atij”, “ata atje pastrojnë paratë e atyre andej”, bla-bla-bla…

Por tekefundit, te paktën ana italiane e këtij bashkëprodhimi te neveritshëm, e pohoi me gojën e vet se nuk janë ata që mendojnë se Shqipëria është një narkoshtet, nuk janë ata drejtpërdrejtë që akuzojnë, po janë të tjerë, janë këtu, në mesin tonë, ndërsa ata thjesht gatuan një çorbë me prodhime bio shqiptare.

Tani unë nuk kam asgjë më shumë me palën italiane, me gazetarin italian jo e jo, ai erdhi më mori një intervistë, shërbeu dhe iku. Ua thashë në mes të Italisë që ditën e parë se çfarë ishte ai pseudo-investigimi i tyre, nuk lashë hapësirë e shteg në mediat e vendit mik pa ua përplasur syve të vërtetat dhe siç e patë, jo vetëm nuk iu shmanga ballafaqimit, po e postova të pacensuruar në këtë faqe. Sepse po të kisha gjëra për t’u shmangur apo pyetje për t’u sikletosur, nuk rrija në këmbë për të udhëhequr Shqipërinë, po ikja ulesha në bisht tek bahçja e shtëpisë.

Unë e kam me të gjithë shqiptarët e zakonshëm dhe e kam të thjeshtë fare:

Mos i falni më! Braktisini përgjithnjë në vetminë e ujërave të zeza të politikës së tyre. Shumica që i ka braktisur prej kohësh duhet të bëhet gati për t’i shkatërruar fare me votë në ditën e afërt të gjykimit popullor. Pakica që ende nuk i ka braktisur, është në të drejtën e Zotit të mos bashkohet me shumicën nëse nuk do, po jo të vejë më pas tyre, sepse ata nuk i duhen as dreqit, jo më Shqipërisë! Ata janë mishërimi i shpirtit të së keqes që po del nga jeta e Shqipërisë, duke u çjerrë në përpëlitjet e fundit. Ky vend ka kry punë me atë shpirt të keq që e persekuton qysh prej vitit 1912.

Shqipërinë nuk e ndal më asgjë dhe nuk ia përcakton më të ardhmen askush, përveç nesh, shqiptarëve. Kokën lart dhe vetëm përpara!

Poll