Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një video ku i është përgjigjur një komenti në rrjetet sociale ku flitej për jetesën në Greqi duke e krahasuar me atë në Shqipëri përsa i takon rrogave.
Rama tha se të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Greqi u leverdis më shumë të kthehen dhe të punojnë në vendin e tyre sesa të paguajnë taksa në shtetin grek.
“Rroga është ajo që duket por pas saj ka edhe taksa. Në Shqipëri 56% e rrogave nuk kanë asnjë taksë, kurse 36% e tyre kanë nga 4 deri në 10% taksë. Kurse vetëm rroga mbi 1300 euro e kanë taksën 10%. Në turizëm dhe ndërtim në Shqipëri merr sa në Greqi dhe paguan më pak taksë. Ndërsa kur je jashtë qytetit tënd, fjetjen dhe ngrënien ta paguan kompania”- tha kryeministri.
Sipas tij, të gjithë ata persona që janë kthyer nga emigracioni dhe kanë investuar në turizëm apo agroturizëm ja kanë dalë shumë më mirë sesa jashtë vendit.
“Këto janë fakte, dhe m këto shpjegohet edhe kthimi i atyre që kanë filluar të punojnë në turizëm apo e atyre që investojnë në agroturizëm se ju del ku e ku më mirë. Nuk janë më kohët që ishin. Nuk është më njësoj bota apo Evropa me atë që ishte deri dje. Kosto e jetesës në Evropë është rritur aq shumë sa nuk ka më mundësi kursimi si më parë”- u shpreh Rama.
“Kush vjen sot i jep vetes mundësi të fitojë më shumë përpara se me hyrjen në BE gjithçka të bëhet njësoj si kudo tjetër”- shtoi ai në mbyllje të videos. Versus.al







