Në seancën e komisionit të Ekonomisë u bë raportimi i Autoritetit të Konkurrencës për veprimtarinë vjetore gjatë vitit 2024. Gjatë kësaj seance u diskutuan shtatë tregje problematike duke nisur nga tregu i spitaleve private, tek karburantet, sigurimet, telefonia celulare, tregu i çimentos dhe bankat.
Në disa prej këtyre sektorëve të bizneseve po kryhen hetime për problemet që janë konstatuar. Por gjatë raportimit para deputetëve, kreu i institucionit, Denar Biba kërkoi më shumë hapësira ligjore për të kryer hetime dhe për të verifikuar të dhëna apo abuzime. Duke zbuluar një hetim të kryer, Biba tregoi sesi u ishte ndaluar mbledhja e të dhënave gjatë një hetimi në sektorin bankar për shkak se shkelej privatësia.
‘’Gjithmonë e më shuëm autoriteti po rrit dhëmbët. Gjoba milionëshe nuk ka patur më përpara. Ne jemi aty, ata e dinë dhe supozohet se nëse i kanë mendtë në kokë nuk do bëjnë veprime të paligjshme. Por e kam thënë disa herë duke u sjellë praktika ndërkombëtare, rasti italian me Permalatin 15 vite hetime. Vlen njësojë edhe për prokurorinë. Nuk ka vendime të menjëhershme, pra sot të ndodhë vepra penale dhe nesër të identifikosh autorët dhe t’i ndëshkosh.
Kemi një hetim në lidhje me sektorin bankar, por cënon thelbësisht sektorin e sigurimeve. Marrëdhënia mes bankave dhe sigurimeve në lidhje me detyrimin.. për të plotësuar hetimet kemi kërkuar të na jepen emrat e kreditorëve dhe t’i merrnim në dëgjesë. Në lidhje me këtë hetim, kemi përfituar edhe nga raportet e institucioneve të tjera homologe të cilat kanë bërë ekzaktësisht të njëjtën gjë. Bankat vunë në lëvizje komisionerin e mbrojtjeve të të dhënave personale dhe komisioneri ka dalë me vendim që u thotë bankave mos ua jepni informacionin Autoritetit të Konkurrencës sepse cënohet privatësia’’- tha Biba.
Ai përmendi praktika të institucioneve homologe në shtetet e rajonit duke thënë se ka edhe raste që zyrtarëve të bizneseve nën hetim u merret telefoni. Kësisoj Bibaj tha se duhet që të ketë edhe aksesin për të kryer përgjime.
“Homologët tanë ju marrin celularët. Ky (celulari) është tradhtari më i madh për çdo lloj gjëje. Nëse do realisht të bësh punë skrupuloze hetimore, kjo është. Edhe ata zotërinjtë e SPAK-ut apo të prokurorisë në Shqipëri shumicën e sukseseve të tyre e kanë pasur nga sky nga Encrochat. Ne nuk e kemi këtë mundësi. Polakët e kanë, turqit e kanë, italianët, gjermane, të gjithë vendet e BE-së i kanë”, tha Denar Biba.
Kjo kërkesë për të pasur akses edhe në telefonat e sipërmarrjeve që janë nën monitorim nga Autoriteti i Konkurrencës, erdhi për shkak se në tregun e grumbullimit të qumështit, të fruta-perimeve dhe atë të spitaleve private, hetimet nuk kanë rezultuar të suksesshme për mungesë të provave.
“Kur flet me ta kështu Of Records, të gjithë nxjerrin shpirtin edhe t'i thonë të gjitha. Kur vjen puna për të ofruar një mesazh ËhatsApp-i që e ka pasur me grumbulluesin përkatës, thotë mos na merrni në qafë. Ju themi nuk do t'ju nxjerrim, ore kemi detyrim ndaj ligji. Nëse ne ju nxjerrim, ju shkojmë për shpërdorim e tyre, nuk pranojnë në asnjë lloj rrethane. Fenomeni nuk është vetëm shqiptar”, shtoi kreu i Autoritetit të Konkurrencës. Versus.al







