Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk ka gjetur një zgjidhje përsa i takon madhësisë së fletës së votimit që do të kenë para qytetarët më 11 maj.
Vetë kreu i institucionit, Ilirjan Celibashi tha para mediave se fleta është shumë e madhe dhe KQZ nuk është përgatitur për masat që duhen marrë nëse 25 partitë e regjistruara do sjellin të gjitha emra kandidatësh.
“Fleta siç e kemi prezantuar është shumë e madhe. Vështirësi për organizimin dhe menaxhimin. Nuk di të them si do t’ia bëjmë nëse të 25 subjektet ia dalin të sjellin kandidatë. Nuk jemi përgatitur për këtë skenar”, tha Celibashi.
Kostoja e votës së diasporës
Sipas Celibashit kostoja e votës së diasporës do të jetë rreth 7.5 milionë euro duke marrë parasysh edhe numrin e shtuar të emigrantëve të regjistruar duke qenë se më parë ishte përllogaritur që numri i të regjistruarve të ishte rreth 100 mijë.
Ndërsa sqaroi se nuk mund të asistohet votuesi gjatë momentit të votimit dhe nëse ndodh një gjë e tillë si brenda ashtu edhe jashtë vendit, përbën një vepër penale.
Mbërritja e fletës së votimit tek emigrantët shqiptarë
Në konferëncë, kryekomisioneri theksoi se nëse çdo gjë shkon sipas planit, mes datave 8-11 prill do të përfundojë procesi i dërgimit të fletëve të votimit tek adresat e deklaruara nga emigrantët e regjistruar. Versus.al







