Pasi pranoi kërkesën për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha, Gjykata Kushtetuese ka vendosur edhe datën se kur do ta shqyrtojë këtë çështje.
Sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare, Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 19 nëntor për të shqyrtuar ankimin e Berishës kundër masave të para të sigurisë.
Sipas Gjykatës, subjekte të interesuara në lidhje me këtë kërkesë është Kuvendi i Shqipërisë dhe SPAK.
Në këtë seancë nuk pritet të ketë palë në sallën e gjyqit, por Kushtetuesja do ta shqyrtojë vetëm kërkesën vetëm në bazë të dokumenteve.
Sali Berisha ka kërkuar shfuqizimin e masës “detyrim paraqitje” që u vendos fillimisht ndaj tij, të cilën e konsideron si antikushtetuese.
Padia e bërë në Kushtetuese nga Sali Berisha u pranua disa ditë më parë nga kjo trupë.
Argument kryesor në padinë e Sali Berishës është fakti që Gjykata e Posaçme dhe SPAK nuk morën më parë autorizimin e këshillit të mandateve për heqjen e imunitetit të Berishës.
Kujtojmë se aktualisht Sali Berisha është me masë sigurie arrest në shtëpi që prej Dhjetorit 2023, pasi refuzoi të zbatonte detyrimin e paraqitjes. Kryetari i PD, së fundmi është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv ndaj zyrtarëve të lartë në lidhje me hetimet e dosjes së ish-kompleksit sportiv “Partizani”.







