
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi ditë më parë që të konfirmonte qëndrimin e tij në detyrë duke rrëzuar vendimin e qeverisë që e shkarkonte atë.
Veliaj shkruan se ‘drejtësia foli’ ndërsa e konsideron vendimin e Kushtetueses të rëndësishëm për rivendosjen e dinjitetit të ligjit. Më tej shkruan se do të bëjë çfarë të mundet që puna të vazhdojë pa u ndalur në bashkinë e Tiranës.
“Për shkak të kushteve ku ndodhem, vetëm tani munda të çoj këtë pusullë-postim me avokatët. Drejtësia kushtetuese foli. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës.
Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij.
Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron. Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua. Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time, që puna të vijojë, dhe do të kërkoj pa u ndalur që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit që më keni besuar. Tirana nuk ndalet. Ju dua shumë!”- shkruan Veliaj.
Në seancën që zgjati 7 orë në Gjykatën Kushtetuese, Veliaj renditi disa prej pretendimeve të tij duke e cilësuar një padrejtësi dhe “thikë pas shpine” shkarkimin e tij me votim në këshill bashkiak e më pas me urdhër të firmosur nga qeveria.
Më herët gjatë mëngjesit të sotëm, kryeministri Edi Rama reagoi sërish për vendimin e Kushtetueses ndaj Veliajt, duke kërkuar që t’i jepet një zgjidhje ngërçit që ka mbetur. Një prej zgjidhjeve që Rama e konsideroi ishte edhe lirimi i Veliajt dhe gjykimi i tij në gjendje të lirë teksa ushtron detyrën e kryebashkiakut. Versus.al


