Tiranë- Lufta politike në vend duket së është zhvendosur totalisht në dyert e SPAK-ut, ku sot Partia Demokratike depozitoi një kallëzim ndaj kryeministrit Edi Rama dhe 72 deputetëve të tjerë të Partisë Socialiste nën akuzën se këta të fundit nuk kanë zbatuar 2 vendime të Gjykatës Kushtetuese duke kryer kështu dy vepra penale.
Në denoncimin e bërë thuhet se për çështjen e Olta Xhaçkës për të cilën Gjykata Kushtetuese kërkoi që Kuvendi t’ja kalonte për shqyrtim, socialistët penguan urdhrin duke abstenuar në mënyrë që mandati i Xhaçkës të mos trajtohej nga Kushtetuesja nëse është apo jo në papajtueshmëri me ligjin.
“Në këtë kuptim, deputetët e kallëzuar nga ana jonë, përmes vendimeve nr. 41/2024 dhe 90/2024 të shumicës në Kuvendin e Shqipërisë, kanë kryer veprime aktive me qëllim që të mos ekzekutohet apo pengohet ekzekutimi i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nr. 1/2023 dhe 55/2024. Ky mosekzekutim është bërë pa shkaqe të përligjura, edhe pse ato shprehimisht kanë qenë të ngarkuara nga Gjykata Kushtetuese me ekzekutimin e këtyre vendimeve gjyqësore, me qëllim favorizimin e koleges së tyre Olta Xhaçka, që ka interes personal për mosekzekutimin e këtij vendimi”, thuhet në kallëzim duke theksuar se PS ka rrëxzuar urdhrin e Kushtetueses dy herë për Xhaçkën.
Sa i takon mundësisë së dënimit lidhur me këtë ngjarje, grupi i PD nënvizon se Kodi Penal parashikon që për pengimin dhe minimin e demokracisë dhe rrëzimin e besimit të qytetarëve në Gjykatën Kushtetuese, merren dënime të tilla me gjobë ose me burg gjer në 3 vite.
“Neni 81 i ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” specifikon se: “1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim. …4. Moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.”. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka parashikuar dy vepra penale, që të garantuar zbatimin e vendimeve gjyqësore. Konkretisht, neni 320 i Kodit Penal parashikon se kryerja e veprimeve të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.”. Ndërkohë neni 320/a i Kodit Penal parashikon se mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i një vendimi të gjykatës, nga punonjësi i ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve, dhe kur kjo vepër kryhet për të favorizuar persona që kanë interes për mosekzekutimin e vendimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”, arsyeton grupi i PD.
Ndërkohë, dje ministri i Brendshëm Ervin Hoxha bëri me dije se të gjithë deputetët e përfshirë në kaosin e krijuar gjatë seancës plenare do të mbanin përgjegjësi penale për veprat e kryera. Ndërsa policia referoi në SPAK materialet për 23 deputetë, ku Bardhi Noka dhe Nallbati akuzoheshin për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrim i pronës me zjarr”, ndërsa 20 deputetët e tjerë akuzohen për “Shkatërrim të pronës me zjarr.
Administrata e Kuvendit bëri me dije se dëmi ekonomik i shkaktuar, do të paguhet nga vetë deputetët demokratë të përfshirë në skenat e dhunshme të shkatërrimit dhe djegies së karrigeve të ligjvënësve. Versus.al








