
Diskutimet për urdhrin e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e mandatit të Olta Xhaçkës dhe interpelanca e kërkuar nga PD me Ramën për mbetjet toksike do të mbahen njëkohësisht në seancën e datës 12 shtator.
Kështu është vendosur sot në konferencën e kryetarëve, ku kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi se edhe socialistët janë dakord që mocioni për mandatin e Xhaçkës, t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese.
Seanca do të nisë në orën 11:00, ndërkohë që deputetët demokratë do jenë në ceremoninë e homazheve për Azem Hajdarin.
Mandati i Xhaçkës u rikthye në qendër të vëmendjes pas urdhrit të Gjykatës Kushtetuese ku kërkohej që Kuvendi ta dërgonte për shqyrtim në gjykatë. Socialistët e rrëzuan këtë kërkesë me shumicë votash, ndërsa kryetari i grupit të PS, Bledi Çuçi u shpreh se deputetët mund të votonin si ta mendonin të arsyeshme dhe se Kushtetuesja nuk mund t'i urdhërojë.
Nga ana tjetër, edhe skandali i transportit ndërkombëtar të mbetjeve, është kthyer në një çështje shtetërore për të cilën kanë reaguar dhe institucione të ndryshme duke i bërë thirrje SPAK/ut të hetojë lidhur me neglizhencë nga ana e autoriteteve kontrolluese në Portin e Durrësit.
Pjesë e disktuimeve në mbledhjen e kotme të konferencës së kryetarëve, ka qenë edhe bllokimi i fondeve të IPARD, çështje për të cilën Gazment Bardhi ka kërkuar që të trajtohet me prioritet në mënyrë që të arrihet zhbllokimi i fondeve që BE ka dhënë për fermerët shqiptarë. Versus.al








