
Partia Socialiste duket se ka ndryshuar qëndrim sa i takon urdhrit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese për të votuar në Kuvend shqyrtimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka e cila dyshohet se është në konflikt interesi.
Në seancën e Këshillit të Legjislacionit të mbajtur sot, deputetja Klotilda Bushka tha se propozimi i tyre është që projektvendimi i Kushtetueses, të kalojë për diskutim në seancën e parë të Kuvendit duke argumentuar sipas saj se nuk është e nevojshme krijimi i një raporti nga ky këshill për mandatin e Xhaçkës.
“Siç edhe ju e thatë, nisur nga arsyetimi i urdhërimit të GJK, ky këshill duhet t’I propozojë kryetares së Kuvendit ta përfshijë këtë projektvendim në rendin e ditës së seancës më të afërt. Nuk besoj se ka nevojë për një raport, por vetëm për t’ja bërë këtë rekomandim kryetares së Kuvendit.
Çdo arsyetim tjetër nga ana jonë do konsiderohej si jo në përputhje me vendimin Gjykatës Kushtetuese. Pra kryetares t’i propozohet që ky projektvendim të përfshihet në seancën më të afërt. Nuk ka munguar vullneti ynë për të respektuar vendimin e GJK, por çështjet kanë pasur nevojë të kenë disa sqarime”- tha Bushka.
Nga ana tjetër, Bardhi pavarësisht se mirëpriti ndryshimin e PS tha se mazhoranca kishte krijuar precedent antikushtetues duke mos zbatuar vendimin e detyrueshëm të GJK.
“E vërteta është pak ndryshe nga sa e thjeshtoi Bushka. GJK në vendimin 55 të 2024-ës, ka konstatuar për herë të parë që një mazhorancë politike në Kuvend ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të Gjykatës Kushtetuese. GJK ka dhënë në 2023-in të njëjtin vendim, por me një vendimmarrje politike të paprecedentë ju shpallët pavarësinë nga vendimet e GJK”- u shpreh Bardhi.
Më tej shtoi se të gjithë ata që nuk zbatuan vendimin e Kushtetueses, duhet të vihen nën akuzë nga SPAK.
“Më bëhet qejfi që keni ndryshuar qëndrim sot sepse më parë keni thënë që do bëni çfarë të doni pavarësisht asaj që thotë GJK. Ka qenë kjo deklarata e ish-kreut të grupit tuaj parlamentar. Kjo çështje ka nisur diskutimin që në qershor të vitit 2022 dhe jemi 2 vite me vonese për të respektuar këtë vendim. Bashkëpunëtorja e Edi Ramës është kapur në flagrancë në përfitimin e pasurive publike. Kjo përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës që duhet të shqyrtohet me themel nga GJK. Ju po mbroni një aferë korruptive dhe po jepni mesazhin më të gabuar drejtësisë se nëse merr vendime pa leje nga Rama, ato nuk do zbatohen. Ju ishit të urdhëruar politikisht dhe shkelët kushtetutën. Të gjithë ata që nuk zbatuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese do duhet të jenë persona nën akuzë nga prokuroria e posaçme”- shtoi kreu i grupit parlamentar të PD. Versus.al








