
Ditën e sotme u mblodh Këshilli i Legjislacionit ku u vendos kalimi në seancë plenare në datë 12 shtator për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që urdhëron Kuvendin t’i dërgojë për shqyrtim çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka e cila dyshohet se është në konflikt interesi.
Në seancën që do të zhvillohet në 12 shtator, opozita dhe Partia Socialiste, do të çojnë dy opinione të ndryshme, njëri prej të cilëve duhet të votohet nga deputetët për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese.
Do të jetë kjo e fundit ajo që do të përcaktojë nëse mandati i deputetes Xhaçka është në konflikt interesi sipas nenit 70, pika 3 dhe 4 që parashikon Kushtetuta e Shqipërisë.
Opozita pretendon se Xhaçka është në konflikt të hapur interesi për shkak të titullit investitor strategjik që i është dhënë bashkëshortit të saj nga qeveria, pretendim që mohohet nga deputetja.
Ndërkohë Këshilli i Legjislacionit si organ këshillimor përgatiti një draft raport ku renditen 4 hapat që duhet të ndërmerren për zbatimin e vendimit.
1. Kryetarja e Kuvendit duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.
2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin./ Versus.al








