Prokuroria e Posaçme është vënë në lëvizje dhe ka nisur hetimet pas kallzimit për shantazh të bërë nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Bardhi do të paraqitet pranë zyrave të SPAK, ndërsa burime për Versus.al, bëjnë të ditur se SPAK ka kërkuar telefonin e deputetit për të verifikuar IP nga janë nisur mesazhet shantazhuese, por që nuk mund t’ja konfiskojnë për shkak se duhet një urdhër nga Gjykata.
Ndërsa vetë deputeti është shprehur nga selia e PD-së ku u zhvillua mbledhja e grupit se është i gatshëm për t’i vendosur në dispozicion SPAK, telefonin e tij.
“Siç e dini të hënën kam bërë publike një akt intimidues ndaj meje me dokumente të sajuara dhe që nuk ekzistojnë. SPAK është vënë në lëvizje që atë ditë, kam shprehur gatishmërinë për ti vendosur në dispozicion telefonin tim, do të paraqitem për këtë veprim hetimor të nevojshëm”, është shprehur Bardhi.
Ditë më parë Bardhi i dërgoi një letër Prokurorisë së Posaçme në të cilën tregonte se ishte shantazhuar përmes disa mesazheve elektronike të dërguara në platformën e tij të komunikimit ‘Signal’. Mesazhet sipas deputetit i kishin ardhur nga një numër i panjohur, me emrin e përdoruesit ‘Mbreti Zog.’
“Ervis Martinaj, Erigers Mihasi, të jesh mirë”, shkruhej në SMS-në dërguar kreut të Grupit të PD-së, mesazh të cilin ai e ka bashkangjitur si provë në letrën e dërguar në SPAK./Versus.al







