
Tiranë- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u paraqit sot në SPAK ku qëndroi për rreth 3 orë e 30 minuta. Para se të hynte në SPAK, Meta foli për gazetarët, para të cilëve nuk ngurroi të sulmonte dhe fyente kreun e SPAK, Altin Dumani.
Të njëjtën metodë ndoqi edhe pasi doli nga dyert e Prokurorisë së Posaçme duke thënë se ishte marrë në pyetje si kundërshtar i narkoshtetit, pa dhënë detaje nëse është pyetur mbi çështjen CEZ-DIA, lobimin me 300 mijë euro në SHBA apo hetimin pasuror ndaj tij e bashkëshortes Monika Kryemadhi.
Ai vijoi me akuzat ndaj Dumanit duke thënë se ky i fundit, ka si mision shkatërrimin e opozitës me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“U pyeta si kundërshtar i narkoshtetit. Këtë do Dumdumani, këtë detyrë i ka caktuar Rama. Ne do shkojmë atje te sipërmarrja që po shkatërrohet nga Edi Rama si kundërshtar i narkoregjimit që kërkon të mbahet me dumdumanin tuaj që bën akte kriminale kundër opozitës për të shpëtuar Edi Ramën”- u shpreh Meta.
Një ditë më parë, në SPAK u paraqit edhe bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi e cila ndryshe nga Meta u distancua nga sulmet ndaj kreut të SPAK. Kryemadhi qëndroi në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për rreth 5 orë. Dyshohet se është pyetur rreth hetimeve për pasurinë e saj dhe të familjarëve të saj. Versus.al








