
Seanca plenare e Kuvendit është shoqëruar me tensione gjatë raportimit të Avokatit të Popullit, Endri Shabani, për veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2025.
Pasi kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, prezantoi pikën e rendit të ditës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kundërshtoi zhvillimin e raportimit, duke e cilësuar praninë e Shabanit në sallë si një provokim ndaj opozitës.
Sipas Bardhit, zgjedhja e Shabanit në krye të institucionit është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe çështja ndodhet ende në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Ai e akuzoi Avokatin e Popullit se ka vepruar si "ushtar i Ramës" dhe jo si një institucion i pavarur.
Në momentin kur Endri Shabani do të merrte fjalën për të raportuar, deputetët e Partisë Demokratike rrethuan dhe bllokuan Foltoren e Kuvendit, duke pamundësuar vijimin normal të seancës.
Për shkak të situatës së krijuar, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërpreu seancën për pesë minuta.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi deklaroi se opozita nuk mund të pranojë raportimin e një zyrtari, zgjedhja e të cilit, sipas tij, është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.
"Sa kohë kjo çështje është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ai nuk mund të vijë në Kuvend si Avokat i Popullit. Nuk kemi nevojë të dëgjojmë një njeri që nuk ka ngritur asnjëherë zërin për qytetarët dhe është sjellë si ushtar partie. Respektoni sensibilitetin e opozitës deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese", u shpreh Bardhi.

