Pasi u pyet për një deklarate të dhënë nga kushëriri i saj Adrian Shatku, njëkohësisht edhe biznesmeni që kërkonte të hynte në tregun e fibrave optike me një kompani të tijën, deputetja e PL Monika Kryemadhi solli në dukje se jo vetëm ai por të gjithë krerët e politikës shqiptare kanë qenë në shtëpinë e saj.
Kryemadhi nënvizoi se ka ndihmuar gazetarë e persona të rangut të ndryshëm të cilët i kanë kërkuar ndihmë në mënyrë të vazhdueshme.
Pjesë nga pyetjet:
Gazetari: Po kështu pra thotë dosja, thotë që përshkruan kuzhinën përshkruan ashensorin.
Kryemadhi: Në shtëpinë time ka qenë ai, tek ajo shtëpi ka hyrë edhe Edi Rama, te ajo shtëpi ka hyrë edhe Sali Berisha, edhe Lulzim Basha edhe Erion Veliaj. Kushdo ka hyrë në shtëpinë time, kanë ngrënë dhe bukë. Dhe biznesmenë kanë hyrë aty, pse çfarë jam unë njeri pa njeri? Sa gazetarë më kanë kërkuar ndihmë se ua kishin hequr familjarët nga puna për arsye politike. Një gazetareje a ia hoqën burrin nga biznesi? Po çfarë, a do mbyll gojën unë? Kam ndihmuar dhe do vazhdoj të ndihmoj. Po sa aktorë të portokallisë më kanë kërkuar ndihmë se i trajtonin sipas interesave partitë politike. Po ne një fshat i vogël jemi, është turp, njihemi me njëri-tjetrin.
Sa i takon pyetjeve të drejtuara Kryemadhit për kushëririn e saj Adrian Shatkun, një biznesmen shqiptaro-amerikan, bëhet fjalë për një kërkesë të tij për të hapur një kompani të fibrave optike në Shqipëri. Kryemadhi tha para gazetarëve se nuk bëhej fjalë për ndikim të saj dhe se i vetmi diskutim që ka pasur me të për këtë pjesë ka qenë për të parë nëse një gjë e tillë ishte e mundur. Por sipas SPAK, Kryemadhi e Meta kanë ndërhyrë për ta bërë të mundur një gjë të tillë dhe më pas sipas dosjes, nga llogaria e Ardian Shatkut është bërë një pagesë e madhe prej qindra mijëra eurosh ndaj një kompanie konsulence të kontraktuar nga LSI. Versus.al







