POLITIKË /

Pas tri javësh protestash, Berisha-Ramës: Po përjeton Vaterlonë tënde politike, largohu dhe përballu me drejtësinë

Shkruar nga Versus

Pas tri javësh protestash, Berisha-Ramës: Po përjeton

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një ngjarje historike dhe një goditje të fortë politike për qeverinë.

Në një videomesazh, Berisha tha se Rama po e përjeton protestën si një “Vaterlo” politike, ndërsa akuzoi kreun e qeverisë për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Sipas tij, pjesëmarrja masive e qytetarëve në protestë dëshmoi pakënaqësinë e gjerë ndaj qeverisjes.

Lideri i opozitës iu përgjigj edhe deklaratave të Ramës, i cili në podkastin e së dielës përdori personazhe nga letërsia për të folur mbi rrezikun e krijimit të bindjeve mbi informacione të paverifikuara. Berisha e krahasoi Ramën me personazhin Tenardier të Viktor Hygosë, duke e akuzuar se ka dëmtuar interesat e qytetarëve shqiptarë.

Në përfundim, Berisha i bëri thirrje kryeministrit të largohet nga detyra dhe të përballet me drejtësinë. “Largohu sa më parë nga detyra dhe prit verdiktin e drejtësisë, e cila vonon, por nuk harron”, deklaroi ai.

Berisha: Edi Rama duket se protestës së gjysmë milioni shqiptarëve dhe rrethimit të ngjeshur të mëngjesit, de facto rënien e Bastijës, e ka përjetuar si një fushëbetejë të mbushur me kufoma, kafka, gjymtyrë, plëndës e zorrë njerëzish dhe kuajsh, si Vaterlonë e tij.

Ky gjysmë i prishur nga protesta epike e gjysmë milionë shqiptarëve të mbledhur nga të katër anët e Shqipërisë dhe të katër anët e dheut, në fakt kërcënoi protestuesit me masakra dhe me përgjakje, me histori vrasjesh e të tjerë.

Me këtë rast, meqenëse ka përdorur një personazh të Stendalit për narrativën e tij, do t’i përgjigjem se për Vaterlonë ka me qindra personazhe nga rreshter në Feldmareshall, romantik si Fabricio, por midis të gjithë atyre Edi Rama është si vëlla siamez vetëm me njërin prej tyre: me rreshterin Tenardie të Viktor Hygoit, i cili nuk luftonte, por vidhte të plagosurit dhe u shkulte dhëmbët e florinjtë.

Një lloj si Tenardie, Edi Rama, vjedh dhe ka vjedhur këtë kohë popullin më të varfër. Ka vjedhur votën, vjedh fondet, vjedh kafshatën, vjedh librat e shkollës, vjedh ilaçet e të sëmurëve, vjedh pasuritë publike sikur të ishte një kolonizator, vjedh shpresën, rininë e shqiptarëve.

Ndaj dhe thirrja ime: largohu sa më parë nga detyra dhe prit verdiktin e drejtësisë, e cila vonon, por nuk harron./Versus.al

Poll