Detaje të reja janë bërë publike nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e cila zgjati rreth pesë orë dhe u zhvillua në ambientet e Pallatit të Brigadave.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga deputetët dhe drejtuesit socialistë një angazhim më të madh në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të punës së qeverisë dhe institucioneve me qytetarët.
Sipas tij, shumë prej arritjeve dhe investimeve nuk po marrin vëmendjen e duhur në hapësirën publike dhe mediatike.
Gjatë diskutimeve nuk munguan edhe debatet.
Një prej tyre ka qenë mes Ramës dhe deputetit Erion Braçe, lidhur me mënyrën se si paraqiten problematikat dhe çështjet e përditshme në rrjetet sociale.
Kryeministri ka vënë në dukje se shpesh publikohen vetëm problemet, ndërsa sipas tij nuk pasqyrohen mjaftueshëm edhe rastet pozitive apo zgjidhjet e dhëna nga institucionet.
Në mbledhje është tentuar gjithashtu të diskutohet për Marjana Koçekun, e cila së fundmi është larguar nga Partia Socialiste, por Rama ka ndërhyrë duke kërkuar që tema të mos trajtohej në atë moment.
Sipas burimeve, ai nuk ka preferuar të komentojë zhvillimet që lidhen me ish-anëtaren e partisë.
Raportohet se gjatë diskutimeve kryeministri ka bërë referenca edhe për figura të tjera të kampit socialist, ndërsa fokusi kryesor i mbledhjes ka qenë organizimi politik, komunikimi publik dhe angazhimi i strukturave të partisë në periudhën në vijim.
Pas përfundimit të takimit, Rama u largua nga Pallati i Brigadave pa bërë deklarata për mediat./Versus.al

