
Kreu i qeverisë, Edi Rama ka deklaruar sot lidhur me protestat e nisura prej javësh, se vendi ynë u gjend në mes të një lufte ideologjike që nuk ka lindur këtu. Sipas tij, kjo është një histori paralajmëruese jo për qeverinë e tij, por për atë çfarë vjen pas asaj që ai e konsideroi si “koha e algoritmit”.
“Një projekt zhvillimi në Shqipëri u bë brenda pak ditësh pjesë e një lufte ideologjike që nuk ka lindur në Shqipëri. Shqipëria u bë zogu, ne u gjendëm në mes të saj thjesht si skenë. Kjo është risia e kohës ku ne jetojmë, një kohë ku algoritmet udhëtojnë më shpejt sesa vërtetësia e lajmeve, ku emocionet mbërrijnë përpara fakteve, perceptimi bëhet e vërteta. Kjo është histori paralajmëruese jo për mandatin tim, por për demokracinë në kohën e algoritmit si dhe për nevojën që ne të parët me përgjegjësinë e atyre që kanë mandatin të udhëheqim ta lexojmë këtë histori sa më drejtë për të qenë të përgatitur më mirë se çfarë vjen më tutje. Sepse ky është vetëm fillimi.
Ka shumë nga kjo e sotmja që filozofë e historianë e kanë shkruar kohë më parë sesa të vinim ne. shumë kohë përpara se bota të kishte internet dhe aspak çuditërisht ata mund të na ndihmojnë sot të kuptojmë atë që po ndodh shumë mirë sesa ata që na tregojnë gishtin. Njëri prej atyre që nuk jetoi në epokën e internetit na ndihmon të kuptojmë shumë më shpejt mekanizmin që ushqen me kaq sukses historinë e algoritmeve. Ai e ka përshkruar modelin e biznesit të rrjeteve sociale në një përshkrim që ai e quan “diskursi i histerikut”. Ai nuk përshkruante një njeri, por marrëdhënie, mënyrë për t’u marrë me botën. Karakteristike nuk është ankesa, sepse ajo është normale. Karakteristika e saj është momenti kur ankesa pushon së qeni mjet dhe kur kritika bëhet identitet. Ky njeri nuk lufton që problemi të zgjidhet, por që të mos mbarojë kurrë”- deklaroi ai mes të tjerash. Versus.al


