Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të enjte, më 3 korrik 2025, një seri takimesh me përfaqësues politikë dhe drejtues vendorë të Partisë Socialiste, duke vijuar fushatën e tij të brendshme për rivitalizimin e strukturave partiake dhe rritjen e performancës institucionale.
Pas një takimi të tensionuar në Vlorë paraditen e së enjtes, Rama u zhvendos në Tiranë ku zhvilloi një mbledhje të shkurtër me deputetët e qarkut dhe drejtues të Bashkisë Tiranë, përfshirë kryetaren e komanduar Anuela Ristani.
Takimi zgjati më pak se një orë dhe kishte karakter më orientues sesa kritikues. Mësohet se Rama u kërkoi deputetëve të rinj të dalin në terren, të kontaktojnë drejtpërdrejt me qytetarët dhe të mbledhin problematikat që hasin në zonat që përfaqësojnë. Ai u ka lënë dy javë kohë për ta bërë këtë, përpara një takimi tjetër për të analizuar situatën.
Në mbledhjen me strukturat e Tiranës nuk është folur për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, dhe Rama nuk ka shprehur pakënaqësi publike për performancën në kryeqytet. Megjithatë, burime nga takimi bëjnë me dije se ankesat për shërbimet bashkiake janë bërë objekt shqetësimi dhe kanë nxitur këtë lëvizje të kryeministrit.
“Tirana nuk është si Vlora. Në Vlorë pashë gjëra që nuk shkonin”, mësohet të ketë thënë Rama.
Vlora, “qyteti problematik” – ristrukturime dhe kritika të hapura
Në kontrast me Tiranën, takimi i Ramës në Vlorë ka qenë dukshëm më i tensionuar. Me një bllok shënimesh në dorë, kreu i qeverisë zhvilloi një mbledhje prej rreth 90 minutash me kryetarin e bashkisë, Ermal Dredha, dhe drejtues të institucioneve vendore.
Burime nga mbledhja konfirmojnë se tonet ishin të larta dhe Rama kritikoi ashpër punën e bashkisë, veçanërisht për menaxhimin e sezonit turistik, mungesën e ujit të pijshëm dhe problemet e evidentuara nga qytetarët.
Ai kërkoi riformatim të menjëhershëm të të gjitha drejtorive dhe largimin e drejtuesve aktualë, duke i konsideruar të papërgatitur për sfidat që ka qyteti.
Gjithashtu, Rama shprehu pakënaqësi edhe ndaj deputetëve të qarkut Vlorë, duke u kërkuar atyre reflektim dhe përfshirje më aktive në çështjet lokale.
Si pjesë e kësaj “goditjeje politike”, kryeministri ndryshoi edhe drejtimin politik të PS-së në Vlorë, duke komanduar dy figura të reja: Klevis Kaso dhe Erjona Ismaili, të cilët zëvendësojnë Pirro Vengun dhe Vilma Bellon, emra të angazhuar gjatë fushatës elektorale të fundit. /Versus.al







