POLITIKË /

"Përmbysëm raportin eksport-import", Rama për skemën e mbështetjes për fermerët: Pagesat mbyllen 100% brenda dhjetorit

Shkruar nga Versus

"Përmbysëm raportin eksport-import", Rama për

Kreu i qeverisë, Edi Rama zhvilloi sot një takim me fermerë e sipërmarrës në sektorin e bujqësisë për të diskutuar mbi buxhetin prej 16.3 miliardë lekësh të parashikuara si mbështetje për këtë sektor gjatë 2026-ës.

Rama përmendi disa shifra sipas të cilave vendi ka pësuar një ndryshim të madh krahasuar me 3 mandate më parë kur PS mori pushtetin. Sipas tij, është përmbysur raporti i eksporteve me importet duke theksuar se më shumë eksportojmë sesa importojmë. Ndër të tjera shtoi se për skemën kombëtare të mbështetjes së fermerëve do të ketë një buxhet dyfish më të madh dhe të gjitha pagesat për fermerët do të mbyllen brenda këtij viti.

“3 mandate më parë, nga kur sot kemi trefishuar prodhimin e serave dhe, si rezultat, kemi faktikisht rritur ndjeshëm konkurrueshmërinë në një sipërfaqe serash që sot ka prekur 2200 hektarë. 3 mandate nga kur kemi arritur të rrisim prodhimin e perimeve që i është afruar 1500 milion tonëve. 3 mandate nga ku eksportet janë rritur dhe diversifikuar, duke kapur një vlerë që këtë vit, vetëm në 9-mujorin e parë, është më e lartë sesa e gjithë vlera e vitit të shkuar dhe duke u afruar të përmbushim gjysmë miliard euro eksporte. Kemi përmbysur raportin e eksporteve me importet, që e kemi gjetur një eksport me 7 importe dhe sot jemi në 1 me 3, duke vazhduar të shkojmë drejt tendencës ulëse dhe të arrijmë objektivin e 1 eksport dhe 2 importe kur vjen puna te prodhimi bujqësor.

Është me rëndësi që kemi sot një buxhet për vitin e ardhshëm jo thjesht më të lartë, por shumë më të lartë krahasuar me buxhetin e këtij viti. Vetëm në skemën kombëtare shkojmë me një buxhet që është gati dyfishi i vitit që po përfundon. Ndërkohë, e tha ministri, për sa i përket skemës direkte, të gjitha pagesat do të mbyllen brenda këtij viti 100%”- deklaroi kryeministri.

Për të rritur më tej rezultatet në bujqësi, kryeministri tha se duhet që të ketë partneritet të ngushtë me qeverinë e pushtetin vendor.

“Çka na intereson sot është çka duhet të bëjmë në vitet përpara dhe duhet ta bëjmë bashkërisht, sepse bujqësia ka nevojë për këtë partneritet me qeverinë, me pushtetin vendor për të përballuar sfidat që janë komplekse, që varen nga faktorë që janë jashtë mundësive të njeriut për t’u kontrolluar. Gjithsesi, ajo që ka më shumë rëndësi në bilancin e këtyre viteve është dija e fituar në të gjitha këto vite nga vetë ju. Kam besim që, nëse dijen e përfituar së bashku me dijen e një vatre që do të jetë gjithmonë më e rëndësishme për bujqësinë, ekonominë dhe zhvillimin, që është Universiteti Bujqësor, do t’i bëjmë së bashku dhe do t’i vendosim në funksion të politikave”- shtoi Rama. Versus.al

Poll