Opozita mban sot protestën e radhës para bashkisë së Tiranës ku prej muajsh kërkohet dorëheqja e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut duke e akuzuar këtë të fundit si të përfshirë në skemën “5D” për të cilën SPAK arrestoi disa drejtorë të bashkisë nën akuzën e përvetësimit të tenderave publikë.
Policia ka publikuar disa prej masave të marra për mbarëvajtjen e tubimit që nis në orën 11:00. Sipas policisë sot duke nisur nga ora 09:30 e deri në përfundim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.
Protesta e sotme vjen pas një përplasje të ashpër që pati në seancën e këshillit bashkiak të mbajtur në 22 korrik ku këshilltari i Partisë së Lirisë Tedi Blushi hodhi letra ndaj kryebashkiakut Veliaj. Akti u pasua me një përplasje fizike mes tij dhe këshilltarit Halit Valterit.

Blushi u shoqërua në komisariat pas ngjarjes ku qëndroi për disa orë dhe të nesërmen në një deklaratë për mediat së bashku me kryetarin e PL, Ilir Metën tha se ishte planifikuar që të kishte gjakderdhje në mbledhje, duke thënë se Veliaj kishte veshur edhe jelek anti-plumb. Nga ana tjetër, Meta ashpërsoi retorikën duke thënë se nga dita e përplasjes fizike në këshill, PL është në “gjendje lufte” me Veliajn. Versus.al







